Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në një kantier ndërtimi në Ferizaj, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas Inspektoratit, gjatë kontrollit në terren janë evidentuar parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Gjatë inspektimit janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Si rezultat, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në kantier deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara”, thuhet në njoftimin e IQP-së.
Inspektorati ka bërë të ditur se subjekti i inspektuar është obliguar t’i eliminojë të gjitha mangësitë e konstatuara, ndërsa punimet mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë përmbushjen e kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë.
“Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët”, thuhet në njoftim.
IQP ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës dhe do të ndërmarrë masa ndaj subjekteve që cenojnë sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Në fund, Inspektorati u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet.







