Policia Rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 50 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave gjatë muajit gusht 2026, ndërsa ka konfiskuar 14 motoçikleta dhe skuterë, si dhe 8 trotinetë.
Sipas Policisë, kontrollet në trafik janë intensifikuar me fokus te drejtuesit e motoçikletave, skuterëve dhe trotinetave, në kuadër të planit operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të motoçikletave dhe trotinetave”, transmeton KosovaPress.
Nga 50 gjobat e shqiptuara, 27 ishin për drejtim të motoçikletës pa patentë shoferi, 11 për drejtim pa regjistrim dhe 4 për ngasje pa helmetë mbrojtëse. Tetë gjoba të tjera janë shqiptuar për kundërvajtje të tjera.
Gjatë kësaj periudhe, Policia ka konfiskuar edhe 14 motoçikleta dhe skuterë, si dhe 8 trotinetë, kryesisht për mungesë të dokumentacionit të rregullt.
Policia ka apeluar te drejtuesit e këtyre mjeteve që të respektojnë rregullat e komunikacionit, kufizimet e shpejtësisë dhe të përdorin helmetën mbrojtëse.
“Një moment pakujdesie mund të ketë pasoja të rënda për jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që shkeljet t’i raportojnë përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat zyrtarë të Policisë.








