Policia e Kosovës ka njoftuar se, në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e Pyjeve 2026”, ka ndërmarrë veprime për parandalimin dhe luftimin e prerjes dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore.
Gjatë kontrolleve të realizuara nga njësitet policore në Ferizaj, janë ndaluar dhe konfiskuar pesë furgona dhe një kamion, të cilët dyshohet se po transportonin dru pa dokumentacion të rregullt.
Për rastet janë njoftuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pylltarisë së Kosovës, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të mëtejshme, në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, masa drusore është konfiskuar.
Policia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative për mbrojtjen e pasurisë pyjore dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
“Mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë natyrore mbetet prioritet i institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./teve1.info/







