Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, duke e akuzuar atë për humbje të njëpasnjëshme zgjedhore dhe për degradim e përçarje të LDK-së.
Bajrami ka thënë se ka qëndruar e tërhequr nga mediat për një kohë, me arsyetimin se ka dashur të “ruajë shtëpinë” e saj politike, por ka deklaruar se tashmë dëshiron t’i përgjigjet Abdixhikut me argumente.
“Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka rikujtuar humbjet zgjedhore të LDK-së nën udhëheqjen e Abdixhikut, duke thënë se ai është dashur të marrë përgjegjësi dhe të largohet nga drejtimi i partisë.
Sipas Bajramit, problemi kryesor aktual nuk është ambicia e individëve, por gjendja institucionale në vend.
“Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka renditur një sërë çështjesh që, sipas saj, paraqesin probleme serioze për shtetin, duke përfshirë vonesat në konstituimin e Kuvendit, funksionimin e ministrive të drejtuara nga persona që tashmë kanë marrë mandatin e deputetit dhe situatën me ministritë që, sipas saj, nuk figurojnë në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026.
Ajo ka kritikuar gjithashtu gjendjen në arsim dhe rezultatet e PISA-s, inflacionin, tenderët njëburimorë, sanksionet e Bashkimit Evropian dhe rrezikun e humbjes së mjeteve nga Plani i Rritjes.
“Pajtohem: s’rrotullohet shteti për një ambicie. Pikërisht për këtë arsye, le të flasim për shtetin, por, fillimisht, duhet ta bëjmë dallimin mes shtetit dhe karriges”, ka përfunduar Bajrami./teve1.info/




