Pas dy tentativave të pasuksesshme, Kuvendi i Kosovës po bëhet gati për një tjetër përpjekje për konstituim.
Më 9 shtator, deputetët do të mblidhen sërish në sallën e Kuvendit, në seancën që do të udhëhiqet nga deputeti më i moshuar, Avni Dehari.
Dehari ka njoftuar se seanca do të vazhdojë të mërkurën, në orën 11:00.
Por, para se të ulen në sallë, deputetët e Aleancës kanë vendosur të mbajnë një mbledhje të Kryesisë.
“Për të mërkurën do t’i njoftojmë opinionin në kohën e duhur. Ne kemi të martën një mbledhje të Kryesisë dhe njëkohësisht e përsërisim qëndrimin e Aleancës që e ka thënë edhe Gjini, se thirrja e seancës për 9 shtator është pastër e qartë shkelje kushtetuese”, deklaroi deputeti i Alenacës, Burim Ramadani.
Deputeti Burim Ramadani thotë se Aleanca do t’i ndjekë edhe rrugët ligjore lidhur me thirrjen e seancës.
“Do t’i përdorim të gjitha instrumentet ligjore politike qytetare për të dëshmu e për të ndalë këtë shkelje kushtetuese, tek e fundit askush nuk është me kompetencë që të djeg mandatin e deputetëve dhe kjo është edhe vepër penale dhe do ta shqyrtojmë edhe mundësinë që t’i bëjmë kallëzim penal edhe për djegje të mandatit Deharit dhe të tjerëve përgjegjës, sepse duke mos e thirrë seancën kanë bërë shkelje kushtetuese”, tha ai.
Përkundër dyshimeve që mund të kenë për afatet kushtetuese, analisti Jeton Kelmendi vlerëson se deputetët opozitarë duhet të marrin pjesë në seancën konstituive.
“Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale. Thirrja e seancës duhet të ndodhë. Unë mendoj se duhet të shkojnë të gjitha subjektet politike në seancë, ta konstituojnë Kuvendin dhe po të njëjtën ditë t’i shpallin zgjedhjet e jashtëzakonshme, sepse alternativë tjetër kushtetuese nuk ka”, pohoi Kelmendi.
Seanca e fundit për konstituimin e Kuvendit u mbajt më 8 gusht.






