Ditën e nisën para Kuvendit të Kosovës.
Të rinjtë e Aleancës, aty nuk erdhën duarbosh.
Me vete kishin disa pankarta me fotografi të deputetëve të Vetëvendosjes.
E bashkë me ta, i pranishëm qe edhe deputeti Burim Ramadani.
Ky i fundit tregoi mesazhin e këtij aksioni simbolik.
“Këtë aktivitet sot e kemi quajtur ‘Regjim parti, regjim shtet’. Dhe pyetja themelore është: a keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë deputet ose deputete të Vetëvendosjes që e flet mendimin e tyre? Përgjigja është jo, sepse partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt, pra është jodemokratike, dhe ky nuk është problem veç i kufizuar veç në Vetëvendosje. Problemi këtu është se i njëjti model po tentohet në mënyrë të egër të vendoset në të gjitha institucionet e Kosovës”, tha Ramadani.
Ramadani më tej tha se deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë liri në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Pra, nuk kanë liri. Ne besojmë se secili deputet duhet të jetë i lirë që të ushtrojë mandatin e vet që ia ka dhënë populli i Kosovës dhe atë të flasë, të mendojë, të shprehet e të veprojë, e që në rastin konkret po shohim një situatë që është regjim partiak që synon të kthehet në regjim shtet”, potencoi Burim Ramadani.
Aksioni simbolik i Aleancës zgjati rreth 30 minuta.






