Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se ka penguar nënshkrimin e marrëveshjes së financimit për grantin e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), i cili ishte paraparë për sektorin e pastrimit.
Rama ka thënë se granti ka dështuar pasi, sipas tij, Ministria e Financave nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Financimit.
“Ndihma e Qeverisë gjermane për ‘Pastrimin’ dështoi. Nuk e nënshkroi Hekuran Murati! Atë që po e them tash e sa kohë, sot fatkeqësisht po e konfirmojnë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. KfW ka njoftuar se granti për ‘Pastrimin’ dështoi sepse Ministria e Financave nuk e nënshkroi Marrëveshjen e Financimit”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas kryetarit të Prishtinës, projekti kishte mbështetjen e Qeverisë gjermane dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa nevoja për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet është urgjente.
Rama e ka cilësuar si “të rëndë dhe të turpshme” situatën, duke thënë se institucionet lokale po detyrohen t’u shpjegojnë partnerëve ndërkombëtarë arsyet e dështimit të një projekti që, sipas tij, është i rëndësishëm për qytetarët.
“Por qytetarët nuk mund t’i lëmë të paguajnë çmimin e këtyre bllokadave”, ka theksuar Rama.
Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë hapa për krijimin e një Ndërmarrjeje Komunale të Pastrimit, me synimin për ta trajtuar problemin e mbeturinave përmes kompetencave të nivelit lokal.
“Prandaj kemi marrë vendim që të krijojmë Ndërmarrjen Komunale të Pastrimit! Do t’i përdorim krejt kompetencat që i kemi si Kryeqytet për ta zgjidhur këtë problem vetë. Pa pritur pafund”, ka deklaruar ai.
Rama ka thënë se situata me mbeturinat në Prishtinë është e rëndë dhe se qytetarët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.
Sipas tij, vendimi për krijimin e ndërmarrjes së re pritet të trajtohet në seancën e radhës të Kuvendit të Kryeqytetit./teve1.info/




