Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Boban Toniq, i cili ngarkohet se në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile.
Të hënën u dëgjua dëshmitari Ali Gjyliqi- ish i burgosur gjatë viteve 1998-2001, i cili deklaroi ndër të tjera se pas transferimit në burgun e Lipjanit, të burgosurit u deshën të hyjnë në një kordon të përbërë nga gardianë dhe policë, të cilët dhunuan të burgosurit mizorisht.
Pjesë e atij kordoni, tha se ishte edhe i akuzuari Toniq.
“Po, i akuzuari ka qenë pjesë e kordonit në burgun e Lipjanit me datën 24 maj 1999”, tha dëshmitari Gjyliqi.
Sipas tij, në atë kordon ishte edhe ish-drejtori i burgut të Prishtinës, i veshur me uniformë.
“Kur kemi arritur ka qenë një kordon i përbërë nga gardianë dhe policë, dhe kalimi në atë kordon i të burgosurve ka qenë i tmerrshëm sepse në atë kordon kanë rrahur shumë- secili që ka qenë ne korodon ka goditur. Aty ka qenë ish-drejtori i burgut të Prishtinës me uniformë, ishte hera e parë që e shihja drejtorin me uniformë, asnjëherë s’e kam parë, ka pas njerëz me lloje të ndryshme të uniformave dhe pajisjeve për të na goditur”, tha dëshmitari Gjyliqi.
Paraprakisht, gjatë deklarimit, dëshmitari Gjyliqi, ndër të tjera tha se ishte burgosur nga forcat serbe në vitin 1997, për veprën penale “Bashkimi për veprimtari armiqësore”, në lidhje me terrorizëm, për të cilën ishte dënuar me 9 vjet burgim, për arsye se kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Dëshmitari tha se gjatë qëndrimit të tij në burg, ishte transferuar shpeshherë në burgje të ndryshme, fillimisht kishte qenë në burgun e Prishtinës, pastaj në burgun e Lipjanit, në burgun e Nishit në Serbisë, burgun e Dubravës dhe përsëri në atë të Lipjanit, dhe në fund në burgun e Nishit, deri në lirimin e tij.
Dëshmitari Gjyliqi shtoi se gardianët e burgjeve ishin ashpërsuar më shumë pas muajit mars të vitit 1998, pas masakrës së familjes Jashari, duke shpjeguar maltretime të shumta, rrahje dhe madje edhe vdekje të të burgosurve nga torturat.
“I akuzuari Boban Toniq, në dhomën ku kam qëndruar unë bashkë me të ndjerin Hajdin Rama, na ka maltretuar mua dhe të ndjerin Rama, me arsyen se nuk kemi respektuar rendin shtëpiak. Bashkë me Zoran Koliq na kanë nxjerrë nga dhoma dhe na kanë rrahuar në korridor”, deklaroi dëshmitari Gjyliqi.
Po ashtu, ai theksoi se përveç dhunës dhe torturave, në vitin 1999, kur ishte transferuar në Burgun e Dubravës dhe pastaj atë të Lipjanit, kushtet në dhoma kanë qenë çnjerëzore, duke përmendur faktin se nuk kanë pasur shtretër, ushqimi servohej një copë e vogël e bukës me një gjellë në gotë dhe kanë qëndruar nga 30 persona në një dhomë duke mos pasur tualet.
Tutje, Gjyliqi tha se shpeshherë ishte vizituar nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar dhe për arsye se ai u kishte treguar atyre për dhunën në burg, ishte torturuar më vonë.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzurit Toniq, avokatit Predrag Milkoviq, se pse nuk ka deklaruar në ndonjë deklaratë të mëparshme për dhunën e shkaktuar nga klienti i tij në korridor të burgut, dëshmitari tha se deklaratat kanë qenë më shumë të fokusuara tek i pandehuri Dragisha Millenkoviq sepse ai ishte arrestuar, andaj nuk ka folur për të akuzuarin Toniq.
Pastaj, me përfundimin e dëshmisë së dëshmitarit Ali Gjyliqi, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, konstatoi se shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë me një datë tjetër me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Në seancën fillestare më 20 janar 2026, Toniq u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 31 dhjetor 2025, Boban Toniq i njohur me njofkën “Bellko”, akuzohet se në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë Jovan Jovanoviq, Avdia Sutkoviq dhe Zoran Gjokiq- ish-gardianë të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.
Aktakuza thotë se të burgosurit ishin torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte deri në alivanosje.
Viktimat kanë deklaruar se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha trupore, dhunë psikike, kanë mbetur pa ngrënë me ditë të tëra, duke iu shkaktuar ankth dhe frikë e duke iu cenuar rëndë dinjiteti.
Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se më 24 maj 1999 e deri më 10 qershor 1999, Toniq akuzohet se në bashkëkryeje me zyrtarë të tjerë të burgut, me dashje dhe duke shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare, në bashkëkryerje me ish-gardianët Jovanoviq, Sutkoviq dhe Gjokiq, pasi i kanë transferuar të burgosurit nga burgu Dubravës në të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, kishin formuar fillimisht kordon dhe më pas kishin filluar t’i godisnin të burgosurit me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, e pas kësaj në mënyrë sistematike i kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, duke iu shkaktuar lëndime trupore, duke i lënë pa ngrënë me ditë të tëra, duke i ofenduar e sharë, dhe i kanë kanosur se do t’i vrasin të gjithë, duke ua cenuar rëndë dinjitetin njerëzor dhe se pasojat i bartin ende viktimat.
Për këto veprime, Toniq ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. /BetimipërDrejtësi








