TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Askush nuk ka monopol mbi shqiptarizmin: rreziku i përçarjes fetare në Kosovë i provokuar nga Lëvizja e Deçanit dhe Lëvizja për Rikthim

by Tëvë1
1 orë ago
1
A A
Askush nuk ka monopol mbi shqiptarizmin: rreziku i përçarjes fetare në Kosovë i provokuar nga Lëvizja e Deçanit dhe Lëvizja për Rikthim

Autor:Orhan M. Çeku

Kosova ka mjaft plagë të së kaluarës dhe sfida të së tashmes për t’i lejuar vetes luksin e krijimit të një vije të re ndarëse ndërmjet shqiptarëve – kësaj radhe mbi bazën e fesë. Përpjekja për ta matur shqiptarizmin me përkatësinë fetare, qoftë ajo myslimane, katolike apo e çfarëdo besimi tjetër, nuk është vetëm historikisht e gabuar; ajo rrezikon të godasë një nga tiparet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare: bashkëjetesën ndërfetare.

Në këtë kontekst duhet analizuar edhe diskursi i lidhur me të ashtuquajturën “Lëvizja e Deçanit” dhe “Lëvizja për Rikthim”. Vetë materialet publike të kësaj të fundit e përshkruajnë atë si lëvizje për “braktisjen e fesë islame dhe rikthim në besimin e të parëve katolikë”.

Çështja është krejt tjetër: a ka të drejtë një organizatë ta shpallë fenë e shumicës së shqiptarëve të Kosovës si rrezik për kombin dhe të ndërtojë një projekt të organizuar për largimin e tyre nga ajo fe, duke e lidhur këtë me shpëtimin e identitetit shqiptar?

Këtu nuk kemi nevojë për interpretime të kundërshtarëve të Lëvizjes. Mjafton të lexojmë vetë drejtuesit e saj.

Në një fjalim të publikuar nga aktiviteti i “Nismës së Deçanit” në Zvicër, koordinatori Vesel Lekaj e përshkruan deklaratën themeluese të 20 tetorit 2023 me moton “të mos jemi më mysliman”, e paraqet Islamin, krahas ortodoksisë serbe, si rrezik për kombin shqiptar dhe flet për largimin nga kjo fe. Edhe më domethënës është formulimi për nevojën e bashkëpunimit që do të ndihmonte “largimin e përgjithshëm të shqiptarëve mysliman nga kjo fe”.

Në një intervistë tjetër të publikuar në qershor 2026, Lekaj e përshkruan fenë islame si diçka që, sipas tij, vepron kundër gjuhës, historisë dhe interesave kombëtare e shtetërore shqiptare.

Një eksponent tjetër i kësaj lëvizje Saim Tahiraj shkon në një drejtim të ngjashëm. Në dhjetor 2025 ai u drejtohej atyre që, sipas formulimit të tij, “mendojnë shqip, jetojnë shqip dhe veprojnë shqip”, duke i kontrastuar me shqiptarët që, sipas tij, vetëm flasin shqip, por “mendojnë, jetojnë dhe veprojnë arabisht apo turqisht”. Ai e paraqet identitetin shqiptar si të rrezikuar dhe “Lëvizjen e Deçanit” si përgjigje ndaj këtij rreziku.

Pikërisht për këtë arsye, diskursi i viteve të fundit i të ashtuquajturës “Lëvizja e Deçanit” dhe “Lëvizja për Rikthim” nuk duhet trajtuar si një folklor periferik apo si një debat i zakonshëm ndërmjet besimtarëve. Problemi nuk qëndron te konvertimi fetar. Problemi fillon kur konvertimi nga çështje e ndërgjegjes individuale shndërrohet në projekt kolektiv kombëtar dhe kur një fe paraqitet si pengesë për të qenë shqiptar autentik.

Dhe deklaratat publike që kemi sot nuk na lejojnë më të pretendojmë se ky shqetësim është imagjinar.

Ndërkaq, “Lëvizja për Rikthim” e përshkruan vetë aktivitetin e saj si lëvizje për “braktisjen e fesë islame dhe rikthim në besimin e të parëve katolikë”. Në materialet e saj të korrikut 2026 përdoret gjithashtu koncepti i një identiteti shqiptar të “tjetërsuar” dhe rikthimi fetar lidhet me “rrënjët” dhe orientimin perëndimor të shqiptarëve.

Pra, nuk po diskutojmë për perceptime të kundërshtarëve të këtyre lëvizjeve. Po analizojmë gjuhën që ato vetë kanë zgjedhur të përdorin publikisht.

  1. Figurat e rëndësishme shqiptare dhe përkatësia fetare

Historia e formimit të kombit dhe shtetit shqiptar e rrëzon vetvetiu tezën se përkatësia myslimane e shqiptarëve përbën pengesë për identitetin e tyre kombëtar. Një pjesë e konsiderueshme e figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, të lëvizjes autonomiste dhe të Pavarësisë së Shqipërisë vinin nga familje dhe mjedise myslimane. Megjithatë, në momentet vendimtare historike, këta personalitete nuk e identifikuan interesin kombëtar shqiptar me interesin politik të Perandorisë Osmane. Përkundrazi, ata ishin ndër protagonistët e procesit që fillimisht kërkoi bashkimin dhe autonominë e trojeve shqiptare dhe që përfundoi me shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar më 1912. Vetë procesverbali i Kuvendit të Vlorës pasqyron argumentin e Ismail Qemalit se shqiptarët, megjithëse kishin qenë besnikë ndaj Perandorisë, nuk e kishin harruar gjuhën dhe kombësinë e tyre.

Shembulli i vëllezërve Frashëri është ndër dëshmitë më të fuqishme të kësaj tradite. Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri u formuan në një mjedis mysliman, ndërsa veprimtaria e tyre u bë një nga shtyllat intelektuale dhe politike të shqiptarizmit. Abdyl Frashëri ishte një nga protagonistët kryesorë politikë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Platforma e tij kërkonte bashkimin e trojeve shqiptare të shpërndara në vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës në një njësi të vetme shqiptare, me perspektivën e krijimit fillimisht të një shteti autonom dhe, kur rrethanat ta mundësonin, të një shteti të pavarur shqiptar. Kjo platformë vihej përballë interesave të qarqeve osmane që synonin ruajtjen e territoreve të Perandorisë.  Po aq domethënëse është figura e Naim Frashërit. Përmes letërsisë, gjuhës dhe mendimit të tij, Naimi u shndërrua në një prej figurave qendrore të Rilindjes Kombëtare dhe në shprehës të aspiratave shqiptare për liri dhe përparim. Një shqiptar mund të ishte mysliman në bindjen e tij fetare dhe, njëkohësisht, një prej ideologëve më të fuqishëm të kombit shqiptar. Edhe më domethënës është rasti i Ismail Qemalit. Ai kishte shërbyer për dekada në administratën e Perandorisë Osmane, por në momentin vendimtar vendosi interesin politik të Shqipërisë mbi vazhdimësinë e lidhjes me Perandorinë. Më 28 nëntor 1912, nën drejtimin e tij, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Shqipërinë të lirë dhe të pavarur, ndërsa Ismail Qemali u bë kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Pra, një nga aktet më të rëndësishme të shqiptarizmit modern – shkëputja e Shqipërisë nga një perandori me shumicë myslimane dhe krijimi i shtetit kombëtar shqiptar – u drejtua pikërisht nga një elitë kombëtare ku shqiptarët myslimanë kishin rol të jashtëzakonshëm.

Kjo bëhet edhe më e qartë kur shikohet përbërja e Kuvendit të Vlorës. Përkrah figurave të krishtera si Luigj Gurakuqi, Dom Nikollë Kaçorri, Lef Nosi, Jani Minga, Petro Poga e të tjerë, në procesin e Pavarësisë morën pjesë një numër i madh personalitetesh shqiptare nga tradita myslimane: Ismail Qemali, Vehbi Dibra, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Mit’hat Frashëri, Dervish Hima, Abdi Toptani e shumë të tjerë. Lista e delegatëve të Kuvendit e dëshmon qartë karakterin ndërfetar të projektit kombëtar shqiptar. Kjo nuk ishte rastësi, por një nga karakteristikat themelore të nacionalizmit shqiptar: projekti kombëtar ndërtohej mbi gjuhën, territorin, historinë dhe përkatësinë shqiptare, jo mbi homogjenitetin fetar.

Veçanërisht simbolike është figura e Mehmet Pashë Derallës, një tjetër shqiptar mysliman, i cili pas shpalljes së Pavarësisë u bë ministër i Luftës/Mbrojtjes në Qeverinë e Vlorës. Vetëm disa ditë pas shpalljes së Pavarësisë, më 4 dhjetor 1912, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare dhe Deralla u vendos në krye të saj. Kështu, shqiptarët myslimanë nuk ishin vetëm pjesëmarrës në shpalljen politike të shtetit, por edhe ndër njerëzit që morën përgjegjësinë për mbrojtjen ushtarake të shtetit të ri shqiptar të shkëputur nga Perandoria Osmane.Në këtë vazhdë duhet përmendur edhe Hasan Prishtina, një prej protagonistëve të kryengritjes shqiptare të vitit 1912. Me iniciativën e tij u mblodh Kuvendi i Junikut, ndërsa kërkesat shqiptare përfshinin administratën shqiptare, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe të drejtën e ngritjes së flamurit shqiptar. Kryengritësit shqiptarë arritën deri në Shkup, ndërsa Hasan Prishtina paraqiti kërkesat politike shqiptare përballë Portës së Lartë. Edhe këtu kemi një shqiptar të traditës myslimane që nuk e shihte besimin islam si detyrim për t’iu nënshtruar politikisht Perandorisë Osmane; përkundrazi, kërkonte afirmimin e subjektivitetit politik dhe kombëtar shqiptar.

Këto fakte historike e bëjnë shumë problematik çdo pretendim bashkëkohor që përpiqet ta paraqesë myslimanizmin e shqiptarëve si provë të një shqiptarie më të dobët apo si mbetje që duhet eliminuar për t’u “rikthyer” në identitetin kombëtar. Po të zbatohej një kriter i tillë në mënyrë retroaktive, do të duhej të vihej në pikëpyetje shqiptaria e Abdyl Frashërit, Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Mehmet Pashë Derallës dhe e një pjese të madhe të elitës që ndërtoi vetë projektin politik shqiptar. Një përfundim i tillë do të ishte historikisht absurd.

Prandaj, historia shqiptare na jep një përgjigje shumë më të qartë: shqiptarizmi nuk u ndërtua duke i detyruar shqiptarët të zgjidhnin ndërmjet fesë dhe kombit, por duke e ngritur përkatësinë kombëtare mbi dallimet fetare. Pavarësia e vitit 1912 është ndoshta dëshmia më e fuqishme. Në Vlorë nuk u mblodhën myslimanë, katolikë dhe ortodoksë për të përcaktuar se cila fe ishte më shqiptare; u mblodhën shqiptarë të feve të ndryshme për të vendosur se Shqipëria duhej të ishte e lirë dhe e pavarur. Pikërisht kjo trashëgimi duhet të mbrohet edhe sot nga çdo përpjekje për ta rindërtuar identitetin shqiptar mbi vija të reja të përçarjes fetare.

Edhe historia më e re e Kosovës e kundërshton përpjekjen për ta paraqitur përkatësinë islame si diçka të huaj apo të papajtueshme me çështjen kombëtare shqiptare. Gjatë viteve të rezistencës dhe luftës së UÇK-së, pjesëtarë të Bashkësisë Islame, imamë, nxënës e kuadro të arsimit fetar dhe besimtarë myslimanë ishin pjesë e së njëjtës shoqëri që përjetoi represionin, dëbimin dhe luftën. Dokumentacioni ndërkombëtar për periudhën e luftës evidenton se goditja e institucioneve islame ishte e gjerë: sipas të dhënave të Bashkësisë Islame të cituara nga International Crisis Group dhe Human Rights Watch, forcat serbe gjatë ofensivave të viteve 1998–1999 shkatërruan në mënyrë të gjerë 218 xhami, u shkatërruan shtëpitë e 302 imamëve, 16 imamë u vranë, ndërsa 15 të tjerë rezultonin të zhdukur ose të burgosur pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Prandaj, kontributi i hoxhallarëve dhe i strukturave të Bashkësisë Islame gjatë kësaj periudhe duhet parë brenda kontekstit më të gjerë të rezistencës së popullit të Kosovës. Përfshirja e tyre në jetën e komuniteteve të prekura nga lufta, solidariteti me popullsinë dhe sakrifica e imamëve që u vranë, u burgosën apo u zhdukën janë pjesë e historisë së asaj kohe. Kjo nuk e bën UÇK-në një organizatë fetare – përkundrazi, UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare kombëtare – por tregon se shqiptarët myslimanë dhe përfaqësuesit e institucioneve të tyre fetare nuk qëndruan jashtë përpjekjes kombëtare për liri. Ata e përjetuan luftën dhe represionin si pjesë e popullit shqiptar të Kosovës.

3.     Dimensioni juridik: ku përfundon liria e shprehjes dhe ku fillon nxitja e përçarjes?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shumë e qartë. Neni 38 garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë, duke përfshirë të drejtën për ta pranuar ose refuzuar përkatësinë në një bashkësi fetare. Ligji për Lirinë Fetare shkon në të njëjtën frymë: liria fetare përfshin të drejtën për të pasur, për të mos pasur, për ta mbajtur ose për ta ndryshuar fenë.

Në këtë kontekst, thirrja paqësore e bashkësive fetare, përfaqësuesve të tyre apo individëve të tjerë, që një person të përqafojë një besim tjetër fetar, në vetvete nuk paraqet problem dhe është pjesë e ushtrimit të lirë të bindjeve fetare. Një veprim i tillë zakonisht zhvillohet përmes paraqitjes dhe promovimit të vlerave, parimeve dhe mësimeve të besimit përkatës, duke ia lënë individit të drejtën e lirë për të zgjedhur nëse do t’i pranojë apo jo ato.

Problemi juridik potencial fillon atëherë kur diskursi nuk ka më objekt fenë si sistem idesh, por njerëzit që asaj feje i përkasin dhe marrëdhënien e tyre me pjesën tjetër të shoqërisë.

Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, por neni 40 paragrafi 2 parashikon mundësinë e kufizimit të saj kur kjo është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes ose provokimit të dhunës dhe armiqësive mbi baza racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Edhe më i rëndësishëm është neni 141 i Kodit Penal – “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Dispozita përfshin nxitjen ose përhapjen publike të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve, përfshirë grupet fetare, në mënyrë që mund të prishë rendin publik. Për formën bazë parashihet gjobë ose burgim deri në pesë vjet. Por këtu duhet të jemi juristë, jo vetëm publicistë.

Por mund të shtrojmë një pyetje juridike plotësisht legjitime:

A duhet Prokuroria Speciale t’i analizojë deklaratat publike që e paraqesin fenë e 93.49% (Sipas regjistrimit te popullsisë në vitin 2024)të shqiptarëve si rrezik për kombin, kërkojnë largimin kolektiv prej saj dhe ndërtojnë një dallim ndërmjet shqiptarëve “autentikë” dhe atyre të “tjetërsuar”?

Sipas meje, po. Jo për t’i dënuar paraprakisht. Për të përcaktuar nëse është kaluar pragu penal. Dhe kjo nuk do të ishte diçka e panjohur për sistemin tonë penal. Prokuroria Speciale ka ngritur edhe më parë aktakuza sipas nenit 141 për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”. Shteti duhet të përdorë të njëjtin standard ndaj të gjithëve.

Nëse një organizatë islamiste do të deklaronte se shqiptarët katolikë janë të tjetërsuar, se katolicizmi rrezikon kombin dhe se objektivi duhet të jetë largimi i përgjithshëm i shqiptarëve katolikë nga feja e tyre, askush nuk do të duhej ta relativizonte një diskurs të tillë.

I njëjti standard juridik dhe demokratik duhet të zbatohet kur shënjestër janë shqiptarët myslimanë, aq me tepër që shqiptarët musliman janë shumicë në Kosovë siç u theksua më lartë (93.49 %).

Dukeiu referuar jurisprudencës kosovare, evidentohen tri elemente kumulative për të plotësuar figurën e kësaj vepre penale: veprimii nxitjes ose përhapjes publike të urrejtjes/përçarjes/mosdurimit; elementi subjektiv, pra dashja; dhe mundësia e cenimit të rendit publik. Pikërisht për këtë arsye, mund të deklarojmë se drejtuesit e këtyre organizatave, përmes deklaratave dhe veprimeve të tyre, kanë kryer veprën penale të parashikuar në nenin 141 të KPRK-së. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se në procedurën penale zbatohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe se përgjegjësia penale përfundimisht përcaktohet nga gjykata kompetente. Megjithatë, deklaratat e bëra dhe veprimet e ndërmarra, sipas vlerësimit tonë, jo vetëm që krijojnë dyshim të bazuar mirë për kryerjen e veprës penale nga neni 141 i KPRK-së, por përbëjnë bazë të mjaftueshme që organet e ndjekjes penale të veprojnë. Për këtë arsye, Prokuroria duhet të ndërmarrë veprimet juridike të përcaktuara me ligj, të fillojë hetimet (Aktvendim për fillimin e hetimeve) dhe, pas sigurimit të provave të nevojshme, të ngritë aktakuzë ndaj personave përgjegjës. Pas zhvillimit të procedurës gjyqësore dhe shqyrtimit të të gjitha provave, gjykata kompetente është ajo që duhet të marrë vendimin përfundimtar, të ligjshëm dhe të drejtë.

4.     Dimensioni ideologjik: nga patriotizmi te homogjenizimi fetar

Këtu qëndron, sipas meje, problemi më i thellë.Nuk është katolicizmi. Problemi është instrumentalizimi i katolicizmit për të krijuar një hierarki shqiptarizmi.Struktura e diskursit është lehtësisht e identifikueshme.Së pari ndërtohet ideja e një shqiptari autentik.Pastaj identifikohet një faktor që supozohet se e ka “tjetërsuar” atë.Më pas përcaktohet një grup brenda kombit që konsiderohet bartës i këtij tjetërsimi.Dhe në fund propozohet “rikthimi” si mekanizëm për restaurimin e identitetit autentik.

Ky është mekanizëm klasik i përjashtimit identitar. Kjo është arsyeja pse koncepti ifashizimit të identitetit meriton diskutim.

Fashizmi historikisht kishte variante të ndryshme dhe do të ishte intelektualisht e pasaktë ta barazonim automatikisht çdo nacionalizëm radikal me fashizmin. Por një nga karakteristikat e ideologjive fashiste dhe neofashiste është pikërisht obsesioni me homogjenitetin e bashkësisë kombëtare – identifikimi i një identiteti “autentik” dhe stigmatizimi i elementit të konsideruar të huaj ose tjetërsues.

Prandaj shqetësimi nuk lind nga fjalia:

“Unë jam bërë katolik.”

As nga:

“Unë besoj se katolicizmi është feja e vërtetë.”

Por nga kalimi drejt tezës:

“Ne si shqiptarë duhet të largohemi nga Islami që t’i rikthehemi identitetit tonë autentik.”

Këtu feja pushon së qeni zgjedhje individuale.Bëhet test kombëtar.Dhe kur Saim Tahiraj ndërton dallimin ndërmjet atyre që “mendojnë shqip” dhe atyre që, sipas tij, “mendojnë, jetojnë dhe veprojnë arabisht apo turqisht”, problemi nuk është më thjesht teologjik. Është krijuar një kategori shqiptari, autenticiteti kombëtar i të cilit vihet në dyshim.

Po aq problematik është përshkrimi nga “Lëvizja për Rikthim” i identitetit të kundërshtuar prej saj si identitet “i tjetërsuar”.

Dhe këtu lind pyetja:Kush ua dha këtyre organizatave të drejtën të përcaktojnë se cili shqiptar është autentik dhe cili është i tjetërsuar?

Përgjigjja është “Askush”.

Shqiptarizmi nuk është pronë e katolikëve.Nuk është pronë e myslimanëve.Nuk është pronë e ateistëve.Shqiptarizmi nuk ka certifikatë pagëzimi.

Prandaj, ideologjia e homogjenizimit fetar duhet kundërshtuar pikërisht nga pozita e nacionalizmit qytetar shqiptar: sepse ajo, në vend që ta bashkojë kombin, vendos brenda tij një vijë artificiale ndarëse.

5.     Dimensioni historik: Deçani dhe UÇK-ja janë demanti më i fuqishëm

Dhe këtu arrijmë te pjesa që, për mua, e bën emërtimin “Lëvizja e Deçanit” veçanërisht problematik.Emri Deçan nuk është një emër bosh.Në kujtesën moderne të Kosovës, Deçani është i lidhur me qëndresën, është një prej hapësirave simbolike të organizimit dhe luftës së UÇK-së, me zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së, dëshmorët, luftëtarët dhe sakrificën e familjeve të tëra për çlirimin e Kosovës.Prandaj emri bart kapital historik.

Kur një organizatë quhet “Lëvizja e Deçanit”, ajo përfiton pashmangshëm nga pesha simbolike e këtij emri.Por këtu lind një kundërthënie e madhe:

Deçani i UÇK-së përfaqëson pikërisht të kundërtën e një shqiptarizmi të ndërtuar mbi ndarjen fetare.

UÇK-ja nuk pyeste:

A je mysliman?A je katolik?A je besimtar?Në vijën e frontit ekzistonte një kriter tjetër:A je i gatshëm ta mbrosh Kosovën?UÇK-ja luftoi për Kosovën e lirë.Në radhët e saj luftuan shqiptarë me bindje dhe prejardhje të ndryshme. Ata i bashkonte çlirimi kombëtar.

Prandaj përdorimi i emrit të Deçanit për një projekt që e vendos fenë në qendër të përcaktimit të identitetit shqiptar krijon një paradoks historik.

Madje vetë kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, është distancuar publikisht nga kjo lëvizje. Në mars 2026 ai deklaroi se personat e kësaj lëvizjeje “nuk kanë të bëjnë me Deçan” dhe kundërshtoi publikisht lidhjen e tyre me qytetin.

Ky distancim ka rëndësi.

Sepse Deçani nuk është pronë e një OJQ-je.Emri i tij u përket qytetarëve të Deçanit dhe historisë së tij.Dhe në historinë më të re, atë emër e kanë bërë të madh njerëzit që luftuan së bashku, jo njerëzit që pyetën njëri-tjetrin se cilës fe i përkisnin.

Pikërisht UÇK-ja është argumenti historik më i fuqishëm kundër teorisë se feja mund të jetë kriter i shqiptarizmit.Nëse shqiptari mysliman do të ishte shqiptar i “tjetërsuar”, atëherë çfarë ishin mijëra luftëtarët myslimanë të UÇK-së?

Nëse shqiptari duhet t’i “rikthehet” një feje të caktuar për t’u bërë autentikisht shqiptar, atëherë sipas cilit standard do t’i gjykonim dëshmorët?

Deçani nuk ka nevojë për një lëvizje që t’i tregojë se çfarë feje duhet të kenë shqiptarët. Deçani ia ka treguar Kosovës patriotizmin atëherë kur patriotizmi nuk matej me deklarata, por me sakrificë. Emrin e tij e kanë shkruar dëshmorët, luftëtarët dhe familjet që qëndruan përballë luftës. Prandaj askush sot nuk ka të drejtë morale ta përdorë atë trashëgimi për të prodhuar një shqiptarizëm me test fetar. Shqiptari dëshmohet me raportin ndaj kombit, vendit dhe lirisë së tjetrit. Pikërisht për këtë arsye, institucionet e Kosovës duhet të përcaktojnë edhe juridikisht se ku mbaron liria për ta kritikuar një fe dhe ku fillon nxitja e përçarjes dhe mosdurimit ndaj njerëzve që asaj feje i përkasin.

Jo zotërinj, Deçani nuk mund të shndërrohet në markë të përçarjes. Pikërisht këtu do t’u përgjigjesha drejtpërdrejt drejtuesve të kësaj lëvizjeje:Mos e përdorni Deçanin për t’i dhënë një projekti fetar legjitimitet patriotik.

Deçani e ka patriotizmin e vet.

Nuk ia ka dhënë as Vesel Lekaj, as Saim Tahiraj (te dytë dikur anëtar të një partie politike, sot të dështuar) dhe asnjë organizatë e krijuar në vitin 2023.Deçanit ia kanë dhënë historinë brezat e tij.Ia kanë dhënë luftëtarët.Ia kanë dhënë dëshmorët.Ia kanë dhënë familjet që kanë sakrifikuar.Dhe mbi të gjitha, historia moderne e Deçanit është shkruar nga njerëz që në momentet vendimtare nuk e ndanë shqiptarin sipas fesë.

Prandaj përpjekja për ta veshur një projekt të homogjenizimit fetar me mantelin e patriotizmit të Deçanit është historikisht e pambrojtshme.Mund të krijoni një organizatë.Por nuk mund ta monopolizoni shqiptarizmin. Skeni të drejtë dhe nuk ju lejojmë.

Dhe nuk mund t’u thoni shqiptarëve se feja e tyre i bën më pak shqiptarë pa pritur një kundërshtim të fuqishëm shoqëror.

6.     Kosova duhet të reagojë para se përçarja të normalizohet

Kosova është një shoqëri që, për shkak të historisë së saj, e njeh mirë çmimin e ndarjeve dhe të konflikteve të ushqyera mbi dallimet identitare. Pikërisht për këtë arsye, çdo përpjekje për ta shndërruar përkatësinë fetare në vijë ndarëse ndërmjet shqiptarëve duhet të merret seriozisht. Kur dy lëvizje, pavarësisht emërtimit apo mënyrës se si e paraqesin misionin e tyre, e ndërtojnë diskursin publik mbi ndarjen e shqiptarëve sipas fesë dhe mbi pretendimin se një përkatësi fetare është më autentike, më kombëtare apo më shqiptare se një tjetër, atëherë çështja tejkalon debatin e zakonshëm fetar. Ajo prek drejtpërdrejt kohezionin shoqëror dhe, potencialisht, sigurinë e vendit.

Në një shoqëri demokratike, bashkësitë fetare dhe individët kanë të drejtë t’i paraqesin dhe promovojnë bindjet e tyre në mënyrë paqësore. Vija e kuqe shfaqet atëherë kur besimi fetar fillon të përdoret si instrument për kategorizimin kombëtar të njerëzve.Kur shqiptarit i thuhet se përkatësia e tij fetare e bën më pak shqiptar; kur konvertimi paraqitet jo më si zgjedhje personale shpirtërore, por si një lloj “rikthimi” në identitetin e supozuar të vërtetë kombëtar; ose kur një pjesë e popullsisë trajtohet si bartëse e një identiteti të huaj vetëm për shkak të besimit të saj.

Një diskurs i tillë është veçanërisht i rrezikshëm në Kosovë. Identiteti kombëtar shqiptar historikisht ka arritur t’i tejkalojë dallimet fetare dhe të krijojë një hapësirë të përbashkët kombëtare për myslimanë, katolikë, ortodoksë, besimtarë të tjerë dhe njerëz pa përkatësi fetare. Përpjekja për ta zëvendësuar këtë traditë me formulën “një komb – një fe” nuk përfaqëson forcim të identitetit kombëtar, por ngushtim të tij. Shqiptaria nuk mund të kushtëzohet me përkatësi fetare, sepse në momentin kur feja bëhet kriter për përcaktimin se kush është “shqiptar i vërtetë”, hapet dera për përjashtim, stigmatizim dhe konflikt identitar.

Rreziku bëhet edhe më serioz kur një gjuhë e tillë përsëritet vazhdimisht në hapësirën publike dhe në rrjetet sociale. Normalizimi i përçarjes nuk ndodh brenda një dite. Ai fillon me një deklaratë që perceptohet si provokuese, vazhdon me përsëritjen e saj, pastaj me krijimin e kategorive “ne” dhe “ata”, derisa gjuha përjashtuese fillon të perceptohet si pjesë normale e debatit publik. Në atë fazë, dëmi nuk matet vetëm me numrin e personave që i bashkohen një lëvizjeje. Dëmi qëndron në faktin se shoqëria gradualisht mësohet ta shohë tjetrin përmes përkatësisë së tij fetare dhe ta vlerësojë besnikërinë e tij kombëtare mbi këtë bazë.

Prandaj, Kosova duhet të reagojë para se përçarja të normalizohet. Reagimi nuk nënkupton ndalimin e debatit, kufizimin arbitrar të lirisë së shprehjes apo ndërhyrjen e shtetit në bindjet fetare. Përkundrazi, shteti duhet të mbrojë fuqishëm lirinë e fesë dhe të shprehjes. Por, njëkohësisht, institucionet nuk mund të qëndrojnë indiferente ndaj rasteve kur ekzistojnë indikacione se diskursi kalon nga promovimi i një bindjeje në nxitjen e urrejtjes, intolerancës apo përçarjes ndërmjet komuniteteve. Aty ku ekzistojnë elemente që mund të hyjnë në fushën e përgjegjësisë penale, u takon organeve kompetente që deklaratat dhe veprimet konkrete t’i shqyrtojnë në përputhje me ligjin.

Por përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm penale. Universitetet, Akademia, institucionet kulturore, bashkësitë fetare, mediat dhe shoqëria civile duhet të jenë shumë më aktive në mbrojtjen e një parimi themelor: përkatësia fetare nuk përcakton shkallën e shqiptarisë së askujt. Pikërisht aftësia për t’i mbajtur identitetet fetare së bashku ka qenë një prej elementeve më të rëndësishme të kohezionit shqiptar.

Kosova ka mjaftueshëm sfida reale të sigurisë për të lejuar krijimin artificial të një fronti të ri të konfliktit brenda vetë shoqërisë së saj. Përçarja fetare nuk duhet toleruar derisa të shndërrohet në problem të madh për t’u trajtuar. Ajo duhet kundërshtuar në fazën kur ende është diskurs, narrativë dhe përpjekje për mobilizim identitar. Sepse siguria kombëtare nuk është vetëm mbrojtja e kufirit dhe institucioneve; ajo është edhe mbrojtja e kohezionit të shoqërisë nga përpjekjet për ta ndarë atë në kategori fetare antagoniste.

Sot thuhet se një fe është e huaj. Nesër se besimtari i saj është i tjetërsuar. Pastaj se nuk mendon shqip. Dhe përfundimisht se duhet të ndryshojë identitetin fetar për t’u rikthyer në bashkësinë “autentike”.

Rreziku më i madh nuk është se nesër Kosova do të përfshihet në konflikt fetar. Rreziku është normalizimi gradual i gjuhës së përçarjes.

Prokuroria Speciale duhet t’i analizojë deklaratat publike të drejtuesve dhe aktivistëve të këtyre lëvizjeve në raport me nenin 141 të Kodit Penal.

Në fund, parimi duhet të mbetet i thjeshtë dhe i panegociueshëm: Kosova është shtet i qytetarëve të saj, me shumicë shqiptare muslimane (te vetdeklaruar). Feja është çështje e bindjes së lirë të individit ndërsakombi është hapësira e përbashkët që nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë testi fetar. Pikërisht këtë kufi duhet ta mbrojmë sot, para se gjuha e përçarjes së nesërme të na duket normale.

  1. Përfundimi

Analiza e zhvilluar në këtë shkrim çon në një përfundim të qartë: përkatësia fetare nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në kriter për përcaktimin e shqiptarisë. Shqiptarizmi nuk është identitet fetar dhe historia shqiptare nuk është histori e një bashkësie fetare të vetme. Përkundrazi, një nga veçoritë më të rëndësishme të formimit të kombit shqiptar ka qenë aftësia për ta ngritur përkatësinë kombëtare mbi dallimet fetare. Rilindja Kombëtare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet shqiptare dhe Pavarësia e vitit 1912 dëshmojnë se myslimanë, katolikë dhe ortodoksë kontribuuan në ndërtimin e të njëjtit projekt kombëtar. Vetë fakti se ndër figurat themelore të shqiptarizmit dhe shtetformimit shqiptar gjenden Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla dhe shumë personalitete të tjera të traditës myslimane e bën historikisht të pambrojtshme tezën se përkatësia islame e bën shqiptarin më pak shqiptar.

Pikërisht këtu qëndron problemi themelor me diskursin e analizuar të “Lëvizjes së Deçanit” dhe “Lëvizjes për Rikthim”. Problemi lind kur zgjedhja individuale shndërrohet në projekt kolektiv për “rikthimin” e shqiptarëve dhe kur një fe paraqitet si pengesë për identitetin kombëtar, ndërsa shqiptarët që i përkasin asaj përshkruhen si të “tjetërsuar”, si njerëz që nuk “mendojnë shqip” ose si shqiptarë që duhet të ndryshojnë përkatësinë fetare për t’iu rikthyer identitetit të tyre të supozuar autentik. Artikulli pikërisht këtë kalim nga zgjedhja individuale te kategorizimi kolektiv e identifikon si thelbin e problemit.

Një koncept i tillë nuk e forcon shqiptarizmin. Ai e ngushton atë. Në momentin kur krijohet një model i “shqiptarit autentik” dhe përballë tij vendoset “shqiptari i tjetërsuar” për shkak të fesë, krijohet një hierarki brenda vetë kombit. Sot kriteri mund të jetë feja; nesër mund të jetë prejardhja, rajoni, dialekti, bindja politike apo një karakteristikë tjetër. Prandaj, kundërshtimi i kësaj logjike nuk është mbrojtje e Islamit kundër katolicizmit dhe as mbrojtje e një feje kundër një feje tjetër. Është mbrojtje e konceptit gjithëpërfshirës të shqiptarisë kundër përpjekjes për ta homogjenizuar atë fetarisht.

Edhe dimensioni juridik nuk mund të anashkalohet. Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e fesë dhe lirinë e shprehjes, por këto liri nuk mund të interpretohen si indiferencë e rendit juridik ndaj nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve. Në artikull është argumentuar se deklaratat konkrete duhet të analizohen edhe në raport me nenin 141 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale duhet t’i trajtojë dhe analizojë seriozisht deklaratat publike të drejtuesve dhe aktivistëve të këtyre lëvizjeve dhe të përcaktojë përgjegjësinë penale në përputhje me ligjin. Liria e shprehjes duhet të mbrohet, por ligji duhet të zbatohet me të njëjtin standard pavarësisht se cili komunitet fetar është objekt i diskursit përçarës. Siç argumenton artikulli, ajo që do të ishte e papranueshme po të drejtohej kundër shqiptarëve katolikë nuk mund të bëhet e pranueshme vetëm sepse objekt i saj janë shqiptarët myslimanë.

Edhe përdorimi i emrit të Deçanit meriton një kundërshtim të veçantë. Deçani bart një peshë historike shumë më të madhe se çdo organizatë e krijuar në dekadat e fundit. Në kujtesën e Kosovës së re ai lidhet me rezistencën, UÇK-në, dëshmorët, luftëtarët dhe familjet që sakrifikuan për lirinë. Në atë histori shqiptarët nuk u ndanë sipas fesë. UÇK-ja nuk kishte kriter fetar për shqiptarin; kriteri ishte gatishmëria për ta mbrojtur Kosovën. Për këtë arsye, përdorimi i emrit të Deçanit për t’i dhënë legjitimitet patriotik një projekti që vendos fenë në qendër të autenticitetit kombëtar bie në kundërshtim me vetë trashëgiminë historike që ky emër përfaqëson.

Kosova, ndërkaq, nuk duhet të presë që përçarja fetare të prodhojë pasoja konkrete për ta konsideruar atë problem. Konfliktet identitare nuk lindin brenda natës. Ato ndërtohen gradualisht: fillimisht përmes fjalorit, më pas përmes kategorizimit, pastaj përmes stigmatizimit dhe, në fund, përmes normalizimit të ndarjes në “ne” dhe “ata”. Artikulli me të drejtë e identifikon pikërisht normalizimin gradual të gjuhës së përçarjes si rrezikun kryesor. Prandaj reagimi institucional, akademik, mediatik dhe shoqëror duhet të vijë përpara se një gjuhë e tillë të fitojë statusin e një diskursi normal politik apo kombëtar.

Në fund, kjo çështje nuk duhet të reduktohet në raportin ndërmjet Islamit dhe katolicizmit. Çështja është shumë më e madhe: çfarë shqiptarie dëshirojmë të mbrojmë? Një shqiptari që kërkon prej individit certifikatë fetare për t’ia njohur autenticitetin kombëtar, apo atë shqiptari që historikisht arriti t’i bashkojë njerëzit përtej dallimeve të besimit? Përgjigjja duhet të jetë e qartë. Shqiptarizmi u përket njësoj myslimanëve, katolikëve, ortodoksëve, besimtarëve të tjerë dhe atyre që nuk besojnë. Askush nuk ka autoritet moral, historik apo politik për të lëshuar certifikata se kush është shqiptar “autentik” dhe kush është shqiptar “i tjetërsuar”.

Shqiptarizmi nuk ka nevojë për rikthim fetar, sepse shqiptarizmi nuk ka fe prej së cilës është larguar. Ai ka nevojë për rikthim te parimi që e ka mbajtur kombin të bashkuar: feja është e individit, ndërsa kombi është i përbashkët. Shqiptarizmi nuk ka certifikatë pagëzimi dhe as dëshmi konvertimi.

Kosova nuk duhet të presë që urrejtja ndërfetare të prodhojë pasoja për ta marrë seriozisht. Përçarja fillon me fjalën, vazhdon me stigmatizimin dhe normalizohet kur shoqëria hesht. T’u thuash shqiptarëve myslimanë se duhet ta braktisin fenë e tyre për t’u bërë “shqiptarë të vërtetë” nuk është projekt bashkimi kombëtar. Është përjashtim identitar i maskuar si patriotizëm.

Autori është doktor shkence dhe profesor i asocuar në Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë analizë janë tërësisht personale të autorit dhe nuk pasqyrojnë politikën, qëndrimet apo linjën zyrtare të universitetit ku ai punon.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Kulla: Serbia ka blerë avionët që bombarduan Beogradin

Rrëfenjat e një vere të gjatë, të çuditshme, të nxehtë dhe të ndryshme

Mos harroni se edhe Sava Batarja thërriste në konvertim shqiptarët myslimanë

Mos harroni se edhe Sava Batarja thërriste në konvertim shqiptarët myslimanë

Dosja e intelektualit si kapitull i historisë së Kosovës

Dosja e intelektualit si kapitull i historisë së Kosovës

Nga Fatmir Sheholli 2.0 te “projekti 4.0”, kush po e ndërton armikun e ri në trojet shqiptare?

Nga Fatmir Sheholli 2.0 te “projekti 4.0”, kush po e ndërton armikun e ri në trojet shqiptare?

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën