Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë shtrija e sovranitetit dhe ligjshmërisë në veri të vendit ishte kyçe për zbulimin e varrezave masive në Zubin Potok, ku gjenden edhe mbetje mortore e sasi e armatimit.
Në 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti ka thënë se ky institucion u ngritë më shumë mund, dhe sot është në shërbim të gjithë qytetarëve në tërë vendin
“Arritjet në sundimin e ligjit për paqe e siguri që rezultuan edhe me shtrirje të sovranitetit dhe integritetit territorial po e shtojnë efikasitetin dhe zgjerimin e shërbimeve publike në veri të vendit. Rritja e sigurisë dhe prania e institucioneve në veri tregoi se ishte kyçe edhe për zbulimin e varrezave masive dhe mbetjeve mortore të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit. Në afërsi të tyre u gjenden edhe sasi të mëdha të armatimit e municionit”, tha Kurti, raporton teve1.info
Ai u shpreh se krimi i organizuar, frikësimi e shantazhi nuk kanë vend në një shoqëri demokratike sikurse është Kosova.
Kurti gjatë fjalimit të tij ka përmendur dhe vlerësuar punën e Policëve të rënë gjatë detyrës.
Ai ka thënë se Enver Zymberi e Afrim Bunjaku të rënë në detyrë në shtrirje të sovranitetit në veri, janë frymëzim për çdo pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Beteja e tyre ishte e përbashkët e tereni gjithashtu, veriu i Kosovës. Ata janë prej frymëzimeve kryesore të çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës”, tha Kurti.
Ai ka premtuar mbështetje për Policinë e Kosovës, me pajisje moderne, kushte më të mira.
Institucionet e Kosovës ka zbuluar tri lokacione të varrezave në Zubin Potok në muajin korrik.
Sipas raportit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në tri lokacione janë gjetur mbetje të 23 personave. Mbetje të 13 personave janë gjetur në lokacionin e parë në Kalludër, katër mbetje mortore në lokacionin e dytë në Jabukë dhe gjashtë mbetje mortore në lokacionin e tretë në Kalludër.









