Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për “lojë të dyfishtë” lidhur me trajtimin që shteti serb i bëri ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte.
Në një reagim në Facebook, pas ceremonisë së mbajtur të shtunën në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë në Beograd, Stojkoviq tha se, pavarësisht mesazheve që Beogradi u përcjell vendeve perëndimore, autoritetet serbe po e nderojnë Mlladiqin në një prej objekteve më të rëndësishme shtetërore dhe ushtarake në qendër të Beogradit, transmeton KosovaPress.
“Lojë e dyfishtë e Vuçiqit”, e cilëson Stojkoviq qasjen e presidentit serb, duke pretenduar se ai merr vendime “antievropiane”, ndërsa përpiqet t’i paraqesë ato para Perëndimit sikur nuk janë përgjegjësi e tij.
Sipas avokatit serb, ceremonia për Mlladiqin në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë përbën një prej nderimeve më të mëdha që shteti serb i ka bërë atij.
Në ceremoninë e 5 shtatorit morën pjesë ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiq, presidenti i Republikës Srpska, Siniša Karan, dy ministra të këtij entiteti, si dhe ish-kryeministri serb Nikola Shainoviq. Gjatë ceremonisë, Mlladiqi u përshkrua nga folësit si “udhëheqës i madh”, “profesionist i lartë” dhe “oficer i ndershëm”.
Stojkoviq e interpreton këtë si një mesazh politik të drejtpërdrejtë të autoriteteve serbe, duke pretenduar se me organizimin e ceremonisë shtetërore në një objekt të Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Serbisë po merr përsipër përgjegjësi politike për nderimin e një personi të dënuar për gjenocid.
Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e Beogradit ndaj rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian, duke argumentuar se glorifikimi i Mlladiqit është në kundërshtim me vlerat evropiane.
Reagime të ashpra ndaj trajtimit të Mlladiqit kanë ardhur edhe nga Bashkimi Evropian. Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se glorifikimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt BE-së.
Mlladiqi u dënua me burgim të përjetshëm nga mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish-Jugosllavi. Në vendimin përfundimtar, ai u shpall fajtor, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, persekutim, dëbim, vrasje, terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së.
Ndërkohë, organizata Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka pretenduar se dhënia e nderimeve shtetërore dhe ushtarake për Mlladiqin është e paligjshme, duke iu referuar faktit se atij i ishte hequr grada ushtarake pas vendimit përfundimtar të vitit 2021.
Stojkoviq, në reagimin e tij, e paraqet situatën si një shembull të mënyrës se si, sipas tij, funksionon pushteti në Serbi: vendimet e rëndësishme të Qeverisë, pretendon ai, në një sistem autokratik janë në fakt vendime të presidentit.
Ndryshe, më 27 gusht, ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.
Ndërsa varrimi pritet të zhvillohet më 7 shtator në varrezat Topçider.


