Klubi i futbollit Vushtrria është ndëshkuar me dy ndeshje pa praninë e shikuesve dhe gjobë prej 2500 eurosh për ngjarjet me tifozët, të dielën e shkuar në kuadër të javës së dytë të Superligës.
Në ndeshjen e luajtur në Kampin Nacional të Hajvalisë, ku Vushtrria ishte vendëse, në minutën e 14-të arrijnë në stadium tifogrupi gjilanas “Intelektualët”, të cilët nisin sharjet e ofendimet dhe tentojnë të përplasen fizikisht me tifozët e Vushtrrisë, “Forca”.
Tifozët kanë gjuajtur mjete të forta dhe vetëm pas intervenimit të Policisë, shmanget një incident më i madh, që zgjati për më shumë se 13 minuta, duke e ndërprerë ndeshjen gjatë kësaj periudhe.
“Në min. 81, pas ndëshkimit të lojtarit vendas me karton të kuq (pas dy të verdhëve), tifozët vendas hedhin shishe PVC të mbushura me ujë në drejtim të gjyqtarit kryesor.
Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët vendas hyjnë në fushë duke shkaktuar dëmtime në infrastrukturën e fushës sintetike të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, dëmtime të mëdha në rrethojën e fushës sintetike, si dhe në rrethojën e perimetrit të Kampit Nacional. Po ashtu, konfrontohen edhe me policinë, gjë që ka çuar edhe në arrestimin e tre prej tyre. Sipas raporteve të personave zyrtarë, fotove të siguruara dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Vushtrria-Drita.
I. Bazuar në nenin 18, paragrafi 1 dhe nenin 36, paragrafi 1, pika A të Rregullores disiplinore: dënohet me 2 (dy) ndeshje të radhës pa praninë e shikuesve.
II. Bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C, si dhe nenin 18, paragrafi 2, pikat B dhe C të Rregullores disiplinore: dënohet me gjobë prej 2500 euro. Afati i pagesës është 15 ditë nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.
III. Obligohet KF “Vushtrria” që dëmin e shkaktuar ta paguajë në afatin prej 15 ditëve”, shkruan në vendimin e Komisionit Disiplinor dhe të Etikës, në FFK.
Për shkak të tifozëve, edhe Drita është dënuar me gjobë prej 1 mijë eurosh.
“Në hyrjen e tifozëve mysafirë në tribunë filluan sharjet dhe ofendimet reciproke dhe tentuan të përleshen me tifozërinë vendase, me ç’rast ndërhyn policia dhe qetëson situatën.
Në min. 14 dhe 49, tifozët mysafirë hedhin mjete piroteknike në fushën e lojës dhe, si pasojë, janë dëmtuar sipërfaqet e fushës në disa vende. Sipas raportit të personave zyrtarë, fotove të siguruara dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Vushtrria-Drita. Bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika C, si dhe nenin 18, paragrafi 2, pikat B dhe C të Rregullores disiplinore: FC Drita, dënohet me gjobë prej 1000 euro. Afati i pagesës është 15 ditë nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm”.
Trajneri i Lirisë, Ismet Munishi, ishte në procedurë për shkak të kartonit të kuq përballë Vjosës, nuk do të mund të udhëheq klubin prizrenas në ndeshjen e radhës.
“Pas ndëshkimit me karton të kuq (pas dy kartonëve të verdhë), hyn në fushën e lojës dhe, gjatë largimit nga fusha, ofendon zyrtarët e ndeshjes. Sipas raportit të personave zyrtarë dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Liria-Vjosa.
Bazuar në dispozitat përkatëse të Rregullores disiplinore, për ndëshkimin me karton të kuq (pas dy kartonëve të verdhë), i shqiptohet automatikisht masa 1 (një) ndeshje mosushtrim i funksionit, si dhe, bazuar në nenin 6, paragrafi 1, pika A të Rregullores disiplinore, i shqiptohet masa disiplinore “Vërejtja e fundit”.
Po ashtu, i njëjti paralajmërohet se përsëritja e sjelljeve të tilla në të ardhmen do të rezultojë me shqiptimin e masave më të rënda disiplinore”.
Vendime të tjera Komisioni i Disiplinës dhe Etikës, ka marrë edhe ndaj klubeve, lojtarëve e trajnerëve nga Liga e Parë e kategoritë e reja.










