Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat ka përkujtuar grevën e përgjithshme të punëtorëve të mbajtur më 3 shtator 1990 në Kosovë, duke e cilësuar atë si një nga momentet e rëndësishme të rezistencës së punëtorëve ndaj organeve të dhunshme të kohës.
Në një komunikatë përkujtimore, Federata ka theksuar se greva ishte organizuar nga sindikatat e Kosovës me synimin për të shprehur kundërshtimin ndaj strukturave të dhunshme të instaluara në Kosovë.
“Në atë kohë, sindikatat e Kosovës bënë thirrje për një grevë të përgjithshme, me qëllimin që, përmes një dite të vetme greve, t’u tregonim organeve të dhunshme të instaluara në Kosovë se fuqia e bashkimit tonë ishte më e madhe se arma juaj vrasëse. Dhe atë ditë, Kosova u ndal. Gjithçka ishte e paralizuar. Vetëm dielli vazhdonte të lëvizte”, thuhet në komunikatë.
Federata e ka cilësuar grevën si një moment të veçantë të bashkimit dhe solidaritetit ndërmjet punëtorëve në mbarë Kosovën.
Sipas saj, në atë periudhë punëtorët mbështesnin njëri-tjetrin, konsultoheshin dhe merrnin vendime e ndërmerrnin veprime të përbashkëta me synimin për një Kosovë të lirë.
“Në ato vite, të gjithë e donim, e çmonim dhe e përkrahnim njëri-tjetrin. Solidarizoheshim me secilin, konsultoheshim dhe bashkërisht merrnim vendime e ndërmerrnim veprime. Nuk kemi qenë pa gabime, por ato veprime kishin një qëllim të madh: që Kosovën ta shihnim të lirë”, thuhet më tej në komunikatën e Federatës.
Në përvjetorin e kësaj ngjarjeje, Federata ka shprehur respekt për punëtorët që morën pjesë në grevë dhe për qëndresën e tyre në një periudhë të vështirë për Kosovën.







