Edhe xhiroja e katërt e Superligës së Kosovës në futboll, do të zhvillohet përgjatë tri ditëve – premte, shtune dhe diele.
Për dallim prej tri xhirove paraprakte, orari i ndeshjeve prej xhiros së katërt do të ndryshojë pasi ato do të fillojnë 30-të minuta më herët.
Pra, të gjitha, pesë përballjet e xhiros së katërt të Superligës, do të startojnë nga ora 16:00.
Ndeshja hapëse e kësaj xhiroje, do të jetë ajo ndërmjet Prishtinë dhe Vushtrrisë, e cila do të luhet në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali.
Sigurisht, Prishtina llogaritet favorit në këtë duel, duke pasur parasysh se Vushtrria në tri ndeshje të zhvilluara prejse është rikthyer në Superligë, ka regjistruar po aq humbje.
Prishtina ka dy fitore nga po aq ndeshje dhe ndaj Vushtrrisë synon triumfin e radhës për të konfirmuar formën e mirë që e ka treguar deri më tani.
Ndërkohë, duelet tjera të xhiros së katërt, janë: Drita – Drenica e Llapi – Dukagjini që luhen të shtunën dhe Malisheva – Gjilani e Ballkani – Feronikeli ’74, që zhvillohen të dielën.







