Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, kanë raportuar të mërkurën para Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për rezultatet e punës gjatë vitit 2025.
Por raporti i Prokurorisë Speciale nuk u miratua.
Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Agron Bajrami, bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar kjo prokurori ka pranuar mbi 10 mijë lëndë të reja, ndërsa në fund të vitit kanë mbetur vetëm 14 lëndë të pazgjidhura.
“Sa i përket rezultatit të punës për vitin 2025, kemi pranuar gjithsej 10 mijë e 379 lëndë të reja. Në punë kanë qenë gjithsej 10 mijë e 383 lëndë, prej tyre janë zgjidhur 10 mijë e 369 lëndë, ndërsa në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura 14 lëndë. Ky rezultat është arritur në një vit kur ngarkesa ka vazhduar të rritet. Në Departamentin e Krimeve të Rënda kanë qenë në punë 2 mijë e 961 lëndë dhe janë zgjidhur 2 mijë e 953, kanë mbetur tetë lëndë. Për të mitur janë zgjidhur të gjitha lëndët e pranuara, 687. Gjatë vitit janë trajtuar 593 ankesa kundër hedhjes së kallëzimit penal, prej tyre 228 janë aprovuar, 325 refuzuar dhe 40 janë hedhur”, tha ai.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, prezantoi të dhënat për rastet e zgjidhura në departamentet për krime lufte, krim të organizuar, terrorizëm, korrupsion dhe krim financiar.
Sipas të dhënave të prezantuara prej tij, në Departamentin për Krime Lufte janë zgjidhur 14 raste me 74 persona, ndërsa në atë për krim të organizuar 14 raste me 97 persona. Në Departamentin për Terrorizëm janë zgjidhur 45 raste me 100 persona, kurse në Departamentin për Korrupsion dhe Krim Financiar 137 raste me 306 persona.
“Raste të zgjidhura në Departamentin për Krime Lufte, raste 14 me 74 persona. Mënyra e zgjidhjes: hedhje e kallëzimit penal për dy persona, pushim i hetimit për katër, aktakuzë për 60 persona. Vendimet e gjykatës: është hedhur aktakuza, 11 të akuzuar janë shpallur fajtorë, një është liruar nga akuza. Për krim të organizuar, raste 14 me 97 persona. Mënyra e zgjidhjes: hedhje e kallëzimit penal për tre, pushim i hetimit për 45, mënyra tjetër pesë, aktakuzë e ngritur për 44. Vendimet e gjykatës: është hedhur aktakuza për dy persona, janë shpallur fajtorë 81 persona, janë liruar nga akuza 44 persona, është refuzuar aktakuza për 22 persona. Departamenti për Terrorizëm, raste të zgjidhura 45 me 100 persona. Mënyra e zgjidhjes: hedhje e kallëzimit penal për 39 persona, pushim i hetimeve për 29, mënyrë tjetër e zgjidhjes tre, të akuzuar 29. Është hedhur aktakuza për tre persona, janë shpallur fajtorë 15 të akuzuar, janë liruar nga akuza katër persona. Departamenti për Korrupsion dhe Krim Financiar, raste të zgjidhura 137 me 306 persona. Hedhje e kallëzimit penal për 197, pushim i hetimeve për 52, mënyra tjetër 19, aktakuzë e ngritur për 38 persona. Vendimet e gjykatës: është hedhur aktakuza për 22 persona, janë shpallur fajtorë 43 të akuzuar, janë liruar nga akuza 30 persona, është refuzuar një aktakuzë”, tha ai.
Megjithatë, raporti i prezantuar nga Prokuroria Speciale nuk mori votat e nevojshme për miratim në KPK. Për raportin votuan tre anëtarë, ndërsa katër ishin kundër.
Gjatë mbledhjes, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, njoftoi gjithashtu se Aleksandër Lumezi ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Kryeprokurorëve.
Sipas Gashit, Lumezi e ka arsyetuar dorëheqjen me mospajtime profesionale lidhur me çështje të ligjshmërisë së procesit të vlerësimit.
“Kemi pranuar dorëheqjen e anëtarit Aleksandër Lumezi nga pozita e anëtarit të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Kryeprokurorëve. Lumezi dorëheqjen e ka arsyetuar me atë se përgjegjësia e anëtarit të komisionit nuk është vetëm formale, por edhe profesionale e individuale dhe se nuk e konsideron të arsyeshme të vazhdojë të jetë pjesë e një organi vendimmarrës, ku qëndrimi, sipas tij, profesional lidhur me çështje të rëndësishme të ligjshmërisë së procesit të vlerësimit është në kundërshtim me qëndrimet e anëtarëve të tjerë të komisionit”, tha ai.







