Analisti politik, Ejup Gojnovci ka komentuar zhvillimet lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke shprehur shpresën se deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, mund të ndryshojë qëndrim dhe ta mbështesë kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
Gojnovci ka thënë se qëndrimi i Kryesisë së LDK-së për mbështetjen e Sejdiut ka qenë unanim, ndërsa ka vlerësuar se kundërshtimi i Hotit lidhet me përplasjet e tij politike me Lumir Abdixhikun dhe Albin Kurtin.
“Unë kam një shpresë që Hoti të ndryshojë mendim, të reflektojë. Qëndrimi i Kryesisë së LDK-së ishte unanim që të votohet kandidati Bekim Sejdiu për president”, ka deklaruar Gojnovci.
Sipas tij, mospërkrahja e Hotit ndaj Sejdiut mund të jetë edhe një kundërshtim ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, por edhe një qëndrim i ndikuar nga raportet e tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Hoti ka një hatërmbetje të thellë me Abdixhikun dhe kjo është një mospërkrahje edhe me Abdixhikun. Hoti ka mospërkrahje të thellë me Kurtin dhe kjo është një hakmarrje ndaj Kurtit, sepse Hoti e di shumë mirë se zgjedhja e presidentit nënkupton që të vazhdojë qeverisja e Kurtit”, ka thënë ai.
Gojnovci ka paralajmëruar se situata mund të bëhet edhe më e ndërlikuar nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi ndodhet përballë afateve kushtetuese.
“Vendi po kalon në një kohë kur ka afate dhe, nëse kalojmë që secilit person t’i pëlqejë secilit, do të na shkojë fundi i vitit pa gjetur zgjidhje”, është shprehur ai.
Analisti ka ngritur gjithashtu mundësinë që dy ose tre deputetë të LDK-së të votojnë kundër Sejdiut ose të mos marrin pjesë në seancë, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm.
“Po konsideroj që dy deputetë ose tre të LDK-së votojnë kundër Sejdiut ose nuk marrin pjesë për ta bërë kuorumin. Kjo do të nënkuptonte që vendi shkon në zgjedhje brenda afatit kushtetues”, ka deklaruar Gojnovci.
Ai ka vlerësuar se nëse LDK-ja do të shkonte në zgjedhje duke u perceptuar si shkaktare e shpërndarjes së Kuvendit, kjo mund të kishte pasoja të rënda elektorale për partinë.
“Nëse LDK shkon në zgjedhje duke qenë shkaktari i shkuarjes në zgjedhje, rezultati do të ishte jashtëzakonisht i rëndë për ta”, ka thënë Gojnovci.







