Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur deri në nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa prindërit në Prishtinë kanë ‘vërshuar’ libraritë për t’i siguruar tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Në libraritë e kryeqytetit janë parë radhë të qytetarëve që po blejnë tekstet shkollore, ndërsa vonesa në ekzekutimin e mjeteve dhe publikimin e çmimeve finale ka bërë që një pjesë e prindërve blerjet t’i kryejnë vetëm në ditët e fundit.
Këtë vit, ndryshe nga vitet kur procesi përfshinte edhe materiale të tjera shkollore, Ministria e Arsimit ka përcaktuar subvencionimin sipas klasave për tekstet shkollore, me shuma nga 60 deri në 100 euro.
Për disa prindër, shuma e subvencionimit ka qenë e mjaftueshme për blerjen e librave, por jo edhe për fletoret dhe materialet e tjera mësimore.
Lulzim Fazliu, prind, ka thënë se shuma e marrë i ka mjaftuar për librat, ndërsa fletoret dhe materialet e tjera duhet t’i blejë me mjete vetanake.
“Po, mjaftuan. 90 i kanë qitë, 70 e diçka kanë qenë krejt sa për libra, veç fletoret e të tjerat duhet vetë. Reni goxha gat, po kemi si afër, nuk na ra shumë”, tha ai
Por, jo të gjithë prindërit kanë vlerësuar se shuma e ndarë mjafton për të mbuluar shpenzimet edhe vetëm të librave
Prindi Ahmet Hoxha ka deklaruar se, sipas kalkulimeve të tij, subvencionimi nuk i mbulon të gjitha shpenzimet për fillimin e vitit shkollor.
“Në bazë të kalkulimeve që i kam bërë, nuk mjaftojnë, po sidoqoftë është një ndihmesë, sa do pak. .. Pa, sigurisht se po duhet me mbajtur rezerva të parave për me mund me i mbuluar shpenzimet e fillimit të vitit shkollor. Po, kjo është për momentin”, tha ai.
Hoxha tha se mjetet e subvencionimit ende nuk i kanë dalë.
“E paratë e subvencioneve a ju dolën? Jo, deri tani, po shpresojmë që dalin”, tha ai.
Ndërkohë, një tjetër prind, Mirlinda Bytyqi, ka treguar se mjetet i kanë dalë një ditë më parë dhe se i kanë mjaftuar për blerjen e teksteve për fëmijët e saj.
“Po, kanë dalur dje. Po, për klasën e tretë edhe të katërt, po. Nuk besoj që është me shumë vonesë, sepse edhe koha është e mjaftueshme, është edhe gjithë java që do të jetë e lirë. Nuk besoj që është… Gjithçka ka qenë e mjaftueshme për libra edhe më herët, nuk është… s’besoj që është me shumë vonesë.”, tha ajo.
Për prindërit që tekstet i kanë blerë para publikimit të katalogut zyrtar dhe ndryshimit të çmimeve, libraria “Dukagjini” ka paralajmëruar rimbursim të diferencës.
Koordinatori i kësaj librarie, Elvin Blakaj, ka thënë se është vendosur që prindërve t’u kthehet diferenca e çmimit për librat që janë blerë para përcaktimit të çmimeve finale.
“Si librari, në bashkëpunim me ta, kemi vendosur që çmimet që janë shtesë ndaj çmimeve që janë vendosur nga MASHT-i të rimbursohen. Për këtë kemi vendosur që ta bëjmë pas datës 15, për shkak të fluksit të prindërve që dëshirojnë t’i blejnë librat. Për prindërit që e kanë bërë blerjen në cilëndo prej pikave tona prej datës 24 e deri te ndryshimi i çmimeve, vetëm i sugjerojmë të ruajnë kuponat fiskalë dhe pas datës 15 mund ta bëjnë rimbursimin pa asnjë problem”, tha ai.
Sipas Blakajt, ndryshimi i çmimeve në një periudhë të shkurtër nuk ka paraqitur probleme për librarinë “Dukagjini”, pasi përditësimi i çmimeve është bërë brenda ditës.
“Neve nuk na ka shkaktuar shumë problem, pasi që ne jemi hallka e fundit e furnizimit, ne vetëm se i shesim. Për neve cilat çmime vijnë, ne me ato punojmë. Domethënë, vendimet janë ato që na vendosin neve çmimet. Ajo është siç ka qenë si çdo vit, ashtu që për neve nuk ishte aq shumë problem. Organizimi ynë u bë brenda ditës, me ardhjen e çmimeve, brenda 3-4 orëve ne i kemi vendosur ato në sistem dhe, siç mundeni me pa, e kemi vazhduar shitjen prej dje pa asnjë ndryshim. Kështu që, deri sa e kemi furnizimin shumë të mirë, ne nuk e kemi këtë problem shumë”, tha ai.
Ai ka shtuar se ditët në vijim pritet të jenë të ngarkuara, por se libraria është përgatitur për fluksin e madh të prindërve.
“Ne kemi përgatitur stafin, kemi marrë edhe staf shtesë, kështu që sigurisht do të jetë sfiduese, por ne do t’ia dalim, sikurse çdo vit që ia dalim. Libraria ‘Dukagjini’ është një institucion i vjetër edhe jemi të përgatitur… Kështu që e kemi pritur një fluks të madh, posaçërisht me rrethanat që e kanë bërë si vjetëshën më interesant dhe e kemi organizuar këtë pa asnjë problem. Unë besoj që do t’ia arrijmë t’i furnizojmë të gjithë prindërit në bazë të nevojave të tyre”, tha ai.
Megjithatë, mënyra e subvencionimit vazhdon të jetë një prej çështjeve për të cilat prindërit kanë shprehur pakënaqësi.
Përfaqësuesi i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, ka thënë se, ndonëse këtë vit nuk kanë pranuar ankesa për procedurën e aplikimit në e-Kosova, prindërit vazhdojnë të kërkojnë rikthimin e metodës së mëparshme, kur tekstet siguroheshin dhe shpërndaheshin drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit nëpër shkolla.
“Mirëpo ankesat janë të vazhdueshme të prindërve, jo vetëm këtë vit, por edhe nga vitet paraprake, për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore. Për arsye se prindërit kanë parapëlqyer dhe parapëlqejnë edhe tani që të kthehet metodologjia e mëparshme, e para tri viteve, sipas të cilës Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka blerë vetë librat, i ka siguruar dhe i ka shpërndarë nëpër institucione arsimore, gjegjësisht nëpër shkolla. Pra, prindërit nuk e përkrahin metodën e subvencionimit, por kërkojnë që të kthehet metodologjia paraprake e sigurimit të librave nga ministria ose blerjes së tyre drejtpërdrejt prej ministrisë”, tha ai.
Sipas Dragushës, një prej problemeve kryesore të kësaj metode ka qenë vonesa në daljen e mjeteve. Ai ka kujtuar se vitin e kaluar kishte raste kur nxënësit nuk i kishin tekstet shkollore deri në mes të tetorit.
“Pse e përkrahin prindërit? Janë disa arsye: problemet gjatë aplikimit, vonesa në daljen e mjeteve ose të subvencionimit. Vitin e kaluar ka pasur vonesa jashtëzakonisht të mëdha, diku deri në një muaj e gjysmë ka pasur vonesa, që do të thotë deri në mes të tetorit fëmijët, sipas informatave që kemi nga prindërit, nuk i kanë poseduar librat nëpër shkolla. Ndërsa me metodën që do t’i blinte ministria librat, 1 shtatori do t’i gjente fëmijët me tekste nëpër bankat e tyre shkollore”, tha ai.
Ai ka bërë të ditur se këtë çështje e ka diskutuar edhe me Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar ndryshimin e metodologjisë.
Sipas tij, është premtuar se mundësia e ndryshimit do të shqyrtohet për vitin e ardhshëm, por ende nuk ka vendim përfundimtar.
MASh ka bërë të ditur më 28 gusht se ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore dhe se mjetet janë ekzekutuar në llogaritë e prindërve përfitues për nxënësit e klasave 1 deri në 9.
Në njoftim thuhet se vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe sipas klasave është: Klasat 1 dhe 2 – 60 euro; Klasa 3 – 65 euro; Klasa 4 – 70 euro; Klasa 5 – 80 euro; Klasat 6 dhe 7 – 90 euro; Klasat 8 dhe 9 – 100 euro. /KP










