Në këtë vend malor, në fshatin Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, kalon ky përrua.
Por, përveç ujit, kjo gropë për vite me radhë mbajti edhe një nga dëshmitë më të dhimbshme të luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë lokacion të thellë malor, u gjetën mbetjet mortore të 13 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
E eshtrat e disa prej tyre në sipërfaqe i nxori pikërisht uji.
Për këtë rast, Prokurorja Florije Shamolli thotë se u punua për vite të tëra.
“Do të ishte mirë që sot ata të ishin gjallë, por një pjesë e plagëve për familjarët do të jetë një lehtësim për ta. Dyshimet, të gjitha provat që ne i kemi, na dërgojnë te zhdukja e 23 intelektualëve”, thotë ai.
I pranishëm këtu të premten, ishte edhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti.
Ky i fundit e konfirmoi edhe arrestimin e katër personave, të dyshuar për përfshirje në këto krime.
“Deri më tash janë arrestuar 4 kriminelë serbë, të cilët kanë marrë pjesë në kryerjen e këtyre krimeve këtu. Urojmë që familjarët të gjejnë forcë që ta përballojnë këtë dhimbje. Janë edhe 1500 familje që vazhdojnë me pritë fatin e më të dashurve të tyre, duke më përfshi edhe mua personalisht”, u shpreh ministri në detyrë.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur, Agron Limani, thotë se gjetja e këtyre mbetjeve mortore, e lehtësoi dhimbjen për familjarët.
“Ne si popull kemi pas atë fatkeqësinë që përveç të afërmve tanë, ne jemi privuar nga e drejta për të jetuar. Për fat të keq, ata janë privuar edhe nga e drejta për ta pasur një varr, pra një vend ku familjarët do t’i përkujtonin”, thotë Limani.
Për lokalizimin e saktë të këtij lokacioni, hetimet zgjatën me vite.
Hetuesi Florim Elshani thotë se puna u intensifikua veçanërisht në vitet e fundit.
“Hetimet kanë vazhduar për një periudhë të gjatë, por më intensive kanë qenë prej vitit 2024 e këndej në lidhje me saktësimin dhe lokalizimin e këtij lokacioni, derisa kemi me arrit me specifikimin e varrezës së parë. Deri në ato momente nuk e kemi ditë se çfarë ka”, shprehet Elshani.
Por vetëm gjetja e lokacionit të tri varrezave masive në Zubin Potok, nuk nënkupton edhe fundin e punës.
“Deri tash mund t’ju konfirmoj që kemi çuar të paktën 10 mbetje kockore pra, në laboratorin e ADN-së në Hagë dhe shpresojmë që shumë shpejt do të kemi edhe rezultatet e para dhe tek atëherë mund të flasim se për kë bëhet fjalë”, bwri tw ditur Valon Hsani, doktor nga IML.
E të premten, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë” për vizitë këtu, ishin edhe familjarët e personave, mbetjet mortorë të të cilëve, u fshehën këtu.
Për më të dashurit e tyre, familjarët e vendosen nga një lule në vendin ku u zbulua varreza masive në Kalludër të Vogël.
Ndërsa, në nderim të tyre, u mbajt edhe një minutë heshtje.






