Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka njoftuar se po monitoron zbatimin e katalogut zyrtar të teksteve shkollore dhe çmimeve të përcaktuara në të në libraritë në vend.
Sipas MASh-it, gjatë ditës së djeshme është bërë e mundur që katalogu zyrtar, së bashku me çmimet e përcaktuara, t’u përcillet në formë fizike të gjitha librarive.
Nga monitorimi në terren, ministria thotë se pjesa dërrmuese e librarive i kanë bërë përgatitjet dhe harmonizimet e nevojshme të çmimeve, në përputhje me vlerat e përcaktuara në katalog.
Megjithatë, sipas njoftimit, në një numër shumë të vogël të librarive përgatitjet kanë zgjatur më shumë. Për këtë arsye, në disa raste të izoluara ato kanë qenë përkohësisht të mbyllura për shërbim, por MASh bën të ditur se ndërkohë kanë rifilluar shitjen ose pritet ta bëjnë këtë shumë shpejt.
Ministria ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren, me qëllim që të sigurohet zbatimi i katalogut dhe që nxënësit të kenë qasje në tekstet shkollore me çmimet e përcaktuara.
Për prindërit dhe qytetarët janë vënë në dispozicion edhe dy numra kontaktues për adresimin e paqartësive apo ankesave lidhur me çmimet e teksteve shkollore: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.
MASh ka bërë thirrje që prindërit të raportojnë çdo rast kur çmimi i shitjes nuk përputhet me atë të përcaktuar në katalogun e miratuar.
“Rastet e raportuara nga prindërit po i evidentojmë, trajtojmë dhe adresojmë një nga një”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit dhe Inspektorati i Tregut janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm për adresimin e çdo parregullsie të mundshme.
MASh ka vlerësuar bashkëpunimin e prindërve gjatë këtij procesi, duke theksuar se mbetet e përkushtuar që furnizimi me tekste shkollore të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe transparente, në interes të nxënësve dhe prindërve.







