Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport me shkrim nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan.
Sipas komunikatës për media të Kryeprokurorit të Shtetit, në raport kërkohet të paraqitet kronologjia e veprimeve të ndërmarra nga Prokuroria Themelore në Pejë në lidhje me këtë rast.
Kjo kërkesë vjen pasi Gjykata Themelore në Pejë, më 24 gusht 2026, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
“Në bazë të kompetencave të tij ligjore, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë raport me shkrim lidhur me kronologjinë e veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë Themelore në Pejë për rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan, pasi që Gjykata Themelore në Pejë, më datë 24 gusht 2026, ka marrë aktgjykim lirues ndaj personave të akuzuar për këtë rast”, thuhet në komunikatën për media të Kryeprokurorit të Shtetit.






