Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e artë në Lojëra Mesdhetare.
Në finale të kategorisë deri në 60 kilogramë, boksierja kosovare e mposhti garuesen e Serbisë, Kristina Kuluhova.
Meçi përfundoi në raundin e dytë, kur Kuluhova u tërhoq për shkak të një lëndimi në arkadë. Arbitrat numëruan pikët deri në momentin e ndërprerjes dhe Donjeta fitoi 4:0. Katër prej arbitrave e vlerësuan boksieren kosovare fituese në të dy raundet. Ndërkohë njëri gjyqtar e vlerësoi luftën e barabartë deri në momentin e ndërprerjes.
Për Kosovën kjo është medalja e parë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”. Dhe është e artë. Më e vlefshmja e mundshme.
Meçi me Kuluhovan kishte vlerë më të madhe se medalja, për shkak të vendit që e përfaqëson ajo. Kuluhova është nga Rusia, por e përfaqëson Serbinë, që vazhdon të kundërshtojë paraqitjen e sportistëve kosovarë në ngjarjet ndërkombëtare.
Në ring, Donjeta shfaqi shumë më tepër, dha goditje të sakta dhe ishte duke udhëhequr bindshëm deri në momentin e ndërprerjes.
Boksierja kosovare në Lojëra Mesdhetare i ka shënuar tri fitore.
Boksierja e Serbisë, Kuluhova, nuk doli për të pranuar medaljen e argjendtë mesdhetare. Në podium ishin tri boksiere, Donjeta dhe fitueset e medaljeve të bronzta, por jo edhe Kuluhova.









