Ekipi i Xhudos së Kosovës ka arritur në Tarranto të Italisë, aty ku po mbahen Lojërat Mesdhetare dhe ku sportistët kosovarë po përfaqësohen në numër të madh.
Boksieria Donjeta Sadiku ka siguruar medalje deri më tani, derisa në sportet e tjera rezultatet kanë munguar, e në sportet kolektive më shumë ka disfata e dështime.
Më 28 dhe 29 gusht, Kosova do të përfaqësohet edhe nga xhudistët, të cilët i kanë sjellë Kosovës sukseset më të mëdha në arenën ndërkombëtare.
Kosovën në xhudo, në “Taranto 2026” e përfaqësojnë shtatë xhudistët: Erza Muminoviq (-48 kg), Fatjona Kasapi (-52 kg), Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg), Akil Gjakova (-73 kg), Dardan Cena (-81 kg) dhe Shpati Zekaj (-100 kg).
Në garat e xhudos do të marrin pjesë 162 garuese, 84 meshkuj dhe 78 femra nga 22 shtete pjesëmarrëse.
Ekipi i Kosovës do të udhëhiqet nga Kryemjeshtri Driton Kuka dhe trajnerja Majlinda Kelmendi, ndërsa me delegacionin ka udhëtuar edhe Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, z. Agron Kuka.
Gjithashtu, pjesë e këtij udhëtimi janë edhe Zymer Zeka si sparing partner, Fatos Tabaku dhe Distria Krasniqi, në kuadër të përfaqësimit të tyre në bordin e Komitetit Olimpik të Kosovës.







