Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pritet të nisë rigjykimi lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, duke vlerësuar se nuk ishte provuar se ai kishte kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ndërkohë, për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, akuza ishte refuzuar për shkak të parashkrimit.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar vendimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Konjufcës më 3 shkurt 2017, duke e ngarkuar atë me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, më 10 gusht 2016, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, Konjufca, në cilësinë e deputetit, dyshohet se kishte përdorur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit, në kundërshtim me ligjin./teve1.info/







