Celje sonte takohet me Slovan Bratislavën me fillim nga ora 21:00, në kuadër të “Play Offit” për kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Futbollisti kosovar, Milot Avdyli foli dje në konferencën për shtyp para ndeshjes.
24 vjeçari dhe shokët e tij të ekipit nuk kishin detyrime në ligën sllovene gjatë fundjavës, kështu që që nga ndeshja e parë në Bratislavë ata u përqendruan ekskluzivisht te kundërshtari i tyre evropian.
“Në ekip mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer. Jemi gati për ndeshjen dhe mezi presim ta tregojmë këtë në fushë”, tha Milot Avdyli në fillim të paraqitjes së tij në media.
“Ka një atmosferë të veçantë në qytet para ndeshjes sepse është një nivel krejtësisht i ndryshëm nga Liga e Konferencës. Duhet të dëshmojmë se kemi atë që duhet dhe se e meritojmë të luajmë në Ligën e Kampionëve”, shtoi futbollisti.
“Për shumë prej nesh, kjo do të jetë ndeshja më e madhe e karrierës sonë, por shpresoj se do të kemi mundësinë të luajmë edhe disa ndeshje të tilla në të ardhmen”, buzëqeshi ai.
Së fundmi, ai shtoi edhe një mesazh për njerëzit që do të shkojnë në stadium.
“U premtojmë tifozëve se do të japim gjithçka, do t’i lëmë zemrat tona në fushë dhe ata gjithashtu do të luajnë një rol të madh, sepse jam i bindur se stadiumi Z’dezele, i cili është plot, do të jetë lojtari ynë i 12. Ne luajmë për veten tonë, për familjet tona, për klubin, për qytetin, për të gjithë vendin”, tha Milot Avdyli.










