Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës kanë kërkuar që rrethanat, shkaqet dhe përgjegjësitë eventuale lidhur me rastet e fundit të vdekjeve në ndërmarrje të përcaktohen vetëm mbi bazën e fakteve dhe gjetjeve zyrtare të procesit hetimor.
Në një reagim të publikuar në Facebook, KEK-u ka theksuar se deklarimet e pabazuara dhe të pakonfirmuara janë të dëmshme për familjet e prekura, opinionin publik dhe vetë procesin e zbardhjes së rasteve.
Sipas Korporatës, hetimet janë duke u zhvilluar nga organet kompetente të drejtësisë, ndërsa përfundimet lidhur me shkaqet dhe përgjegjësitë duhet të nxirren vetëm pas përfundimit të procedurave përkatëse.
“Deklarimet e pabazuara dhe të pakonfirmuara janë të dëmshme, para së gjithash ndaj familjeve të prekura, por edhe ndaj opinionit publik dhe vetë procesit të zbardhjes së rasteve. Hetimet janë duke u zhvilluar nga organet kompetente të drejtësisë, ndërsa rrethanat, shkaqet dhe përgjegjësitë eventuale duhet të përcaktohen vetëm mbi bazën e fakteve dhe gjetjeve zyrtare të procesit hetimor, pa paragjykime dhe pa nxjerrë përfundime të parakohshme”, thuhet në reagimin e KEK-ut.
Në kuadër të adresimit të çështjeve të sigurisë në punë, Bordi dhe Menaxhmenti i KEK-ut kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të sindikatave.
Në takime kanë marrë pjesë kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, kryetari i SPEK-ut, Avni Grajqevci, si dhe kryetari i SR-KEK-ut, Xhelal Jashari, dhe nënkryetari Nexhat Llumnica.
Gjatë takimeve është diskutuar për rastet e fundit në ndërmarrje dhe masat që KEK-u po ndërmerr për forcimin e sigurisë industriale dhe shëndetit në punë.
Përfaqësuesit sindikalë janë informuar për hapat konkretë të ndërmarrë nga Korporata.
Një nga masat e paralajmëruara është themelimi i një Task-Force të posaçme për vlerësimin, rishikimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas KEK-ut, kjo strukturë do të shqyrtojë në mënyrë të detajuar protokollet, procedurat dhe praktikat e punës.
Sindikatave u është kërkuar që të caktojnë përfaqësuesit e tyre për të qenë pjesë e Task-Forcës dhe për të kontribuar në rishikimin dhe përmirësimin e standardeve të sigurisë.
“Po ashtu, sindikatat u informuan për procesin e vlerësimit të rrezikshmërisë në vendet e punës, i cili është duke u realizuar përmes kontratës aktualisht në implementim, si dhe për Kodin e Punës, të aprovuar në vitin 2025, i cili përmban dispozita që rregullojnë të drejtat dhe kompensimet në rastet e aksidenteve në vendin e punës”, theksohet në reagim.
Në përfundim të takimeve, KEK-u dhe përfaqësuesit sindikalë janë dakorduar për vazhdimin dhe intensifikimin e dialogut social dhe bashkëpunimit, me synim adresimin e çështjeve që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë dhe përmirësimin e kushteve të punës.
“KEK Sh.A. mbetet i përkushtuar që siguria dhe shëndeti i punonjësve të jenë prioritet i përhershëm dhe përgjegjësi themelore institucionale e Korporatës”, thuhet në fund të reagimit./teve1.info/




