Propozimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për postin e presidentit të vendit, të bërë nga deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, analistët politikë e kanë cilësuar si interesant, por të vështirë për t’u realizuar në rrethanat aktuale.
Duke komentuar këtë propozim në emisionin “Ditari” në Tëvë1, analisti politik Burim Korça ka thënë se ideja është më shumë një propozim politik dhe patriotik sesa një mundësi reale.
“Është një propozim që në këtë kohë dhe në këtë moment më shumë është propozim politik patriotik sesa realist, për shkak se ne nuk e dimë, së pari, epilogun e Gjykatës Speciale ndaj tyre. Natyrisht, të gjithë duam që të jetë epilog lirues. Propozimi i Haradinajt, për mendimin tim, është politik, me një dëshirë pozitive, por nuk është realist”, ka deklaruar Korça.
I pyetur nëse ky propozim mund të nënkuptojë një zbutje të dallimeve politike ndërmjet Aleancës dhe PDK-së, veçanërisht sa i përket figurës së Hashim Thaçit, Korça ka thënë se nuk e sheh në këtë mënyrë.
“Nuk besoj, sepse këto janë parti të dala nga lufta dhe në të njëjtën kohë për shumë gjëra pajtohen, përveç se politikisht nuk janë pajtuar asnjëherë, veç në raste të caktuara kur ka pasur pajtim të të gjitha partive. Por kjo më shumë është një kalkulim politik i Haradinajt”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, analisti tjetër politik, Visa Xani, e ka cilësuar propozimin si interesant, duke thënë se një vendim i tillë do të përbënte edhe një vlerësim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithatë, Xani ka theksuar se dilema kryesore lidhet me mundësinë procedurale të realizimit të një propozimi të tillë.
“Është goxha propozim interesant, po të ishte i mundshëm proceduralisht, për shkak se ne nuk e dimë epilogun e gjykimit, që dashtë Zoti të përfundojë për mirë. Por sa arrihet në aspektin procedural dhe sa është i gatshëm Thaçi, nuk e di. Gjithsesi, është propozim interesant për të vlerësuar dhe respektuar luftën e UÇK-së dhe do të ishte njëfarë zemërgjerësie e secilit subjekt politik që mund ta japë një sinjal të tillë. Do të ishte shumë mirë si vendim”, ka thënë Xani.
Ai ka shtuar se, nëse një skenar i tillë do të ishte i mundur, edhe Lëvizja Vetëvendosje do të duhej ta shqyrtonte atë përtej dallimeve politike.
“Edhe VV-ja do të duhej të mendonte përtej aspektit politik dhe të jepte një shembull që ata po kthehen si triumfues, që nuk kanë bërë krime, dhe ne, pavarësisht dallimeve politike, po e kthejmë në krye të vendit, pra në Presidencë. Por, duke parë rrethanat, shumë e vështirë është të besojmë se do të kemi një shtytje të tillë”, ka përfunduar Xani.
Ndryshe, deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, deklaroi dy ditë më parë se do të ishte “nder” për deputetët e legjislaturës së 11-të që ish-presidenti Hashim Thaçi të zgjidhej sërish në këtë post.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se më 16 shtator do të shpallet aktgjykimi në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në një deklarim për media nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon ta zvarrisë procesin e formimit të institucioneve. Sipas tij, për çështjen e presidentit ka emra konkretë, duke propozuar edhe emrin e Thaçit.
“Nëse do zgjidhje Kurti, regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderi ynë si shqiptarë, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politike, por për shkak të një kundërpërgjigjeje ndaj armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera, mos me mbajtur peng Kosovën”, tha Haradinaj.
Hashim Thaçi u zgjodh president i Kosovës më 26 shkurt 2016, ndërsa dha dorëheqje nga posti më 5 nëntor 2020 dhe u nis drejt Hagës, pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan aktakuzën ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave./teve1.info/







