Çdo 24 orë para Qeverisë e çdo 48 orë në Kuvend.
Në të dyja rastet kërkesa deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, është e njëjtë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Për këtë arsye, edhe gjatë së shtunës, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e seancave.
Të pranishëm nuk ishin deputetët e mazhorancës, LDK-së dhe komuniteteve.
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për të dalë nga kriza institucionale.
Në fjalimin e tij, Haradinaj e cilësoi si “nder” të kësaj legjislature që për President ta votoj Hashim Thaçin.
“Nëse do zgjidhej regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature, që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderi ynë si komb”, tha Ramush Haradinaj.
Haradinaj kritikoi edhe mos-vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Sipas tij, pas skadimit të afatit të parë 30-ditor, Kuvendi është në një situatë të paprecedentë.
“Kuvendi është inekzistent. E vërteta është që është djegie e mandatit të atyre që janë zgjedhur, është djegie e mundësisë. Kjo po ndodh nga regjimi i Kurtit, për shkak se ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi çdo obligim kushtetues dhe ligjor”, pohoi ai.
Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se vendi ndodhet në një pikë ku, sipas saj, rendi kushtetues është seriozisht i rrezikuar.
“Kushtetuta ka folur, por deputeti Albin Kurti ka zgjedhur të mos e dëgjojë. Dhe kur dikush vendos veten mbi Kushtetutën, nuk po e mbron shtetin, por po e rrënon atë”,deklaroi Musliu-Shoshi
Musliu-Shoshi akuzoi Kurtin se nuk po e respekton Kushtetutën dhe se është i fokusuar në ruajtjen e pushtetit.
“Demokracia nuk rrënohet brenda një dite, ajo zbehet kur pushteti fillon të besojë se është mbi ligjin. Fatkeqësisht, Kosova sot ndodhet në këtë pikë”, theksoi ajo.
Seanca e fundit për konstituimin e kuvendit është ndërprerë me 8 gusht, kur edhe ishte afati i fundit kushtetues sipas aktgjykimeve të vet Gjykatës.






