Kremlini ka vazhduar fushatën e tij propagandistike lidhur me Kosovën, duke përsëritur narrativat e Beogradit për gjendjen e komunitetit serb dhe duke akuzuar institucionet e Kosovës për “shtypje mbi baza etnike”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka pretenduar se gjoja serbët në Kosovë po “shtypen para syve” të misioneve ndërkombëtare, duke fajësuar NATO-n, Bashkimin Evropian dhe OKB-në për atë që ajo e cilësoi si “miratim të heshtur” të zhvillimeve në Kosovë.
“Shtypja e njerëzve në Kosovë dhe M… mbi baza etnike po ndodh me miratimin e heshtur të misioneve ndërkombëtare të vendosura atje nën kujdesin e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe OKB-së”, ka pretenduar Zakharova, në një komunikatë të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse, transmeton KosovaPress.
Ajo ka pretenduar se situata e serbëve në Kosovë është bërë “vërtet katastrofike”, duke përsëritur disa prej pretendimeve që prej vitesh promovohen nga Beogradi dhe Moska lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës.
Duke çuar përpara narrativat serbo-ruse, ajo tha se gjoja serbët “po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre me forcë”, ndërsa ka akuzuar institucionet e drejtësisë në Kosovë për “sajimin masiv” të procedurave penale dhe për “veprime frikësimi”.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se është rritur numri i rasteve të përdorimit “qartësisht joproporcional të forcës, deri në torturë”, ndërsa ka përmendur edhe rrënimin e objekteve pa leje në Ujman.
Në deklaratën e saj, zëdhënësja e diplomacisë ruse ka sulmuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar për “serbofobi fanatike dhe të pakontrolluar”.
“Kredoja e tij politike bazohet në serbofobi fanatike dhe të pakontrolluar”, ka thënë Zakharova.
Rusia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe mbështet qëndrimin e Serbisë në forumet ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.




