Organizata “Islamic Relief Kosova” ka shpërndarë 1 mijë e 400 pako ushqimore për familjet me fëmijë jetimë dhe familjet që përballen me kushte të vështira ekonomike.
Sipas një njoftimi të publikuar në Facebook, kjo nismë është realizuar në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, në kuadër të Masës 3.4.
Pakot ushqimore janë shpërndarë në tetë komuna të Kosovës: Prishtinë, Fushë Kosovë, Podujevë, Drenas, Skenderaj, Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë.
“Në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës në kuadër të Masës 3.4, Islamic Relief Kosova ka realizuar shpërndarjen e 1,400 pakove ushqimore në: Prishtinë, Fushë Kosovë, Podujevë, Drenas, Skenderaj, Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë. Pakot u janë dedikuar familjeve me fëmijë jetimë dhe familjeve në kushte të rënda ekonomike, duke ofruar mbështetje konkrete për familjet që kanë më së shumti nevojë”, thuhet në njoftimin e organizatës./teve1.info/









