Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkelje të Kushtetutës, Ligjit për Qeverinë dhe Rregullores së Kuvendit.
Tahiri në një konferencë për media, tha se ata po mbrojnë shtetin dhe demokracinë.
“E kanë ndërprerë seancën, jashtëligjshëm, dhe nuk po e thërret seancën, jashtëligjshëm. Cilat janë masat që parasheh Gjykata Kushtetuese pas 30 ditëve? E dimë që nuk ka pasoja, por Kushtetuta thotë qartë: Kuvendi duhet të funksionalizohet. Jemi në shkelje kushtetuese. E dyta, kryeministri dhe 17 ministrat e tij, bazuar në ligjin e qeverisë, ditën që vijnë me u betu si deputetë, duhet me dhënë tërheqje prej pozitës ekzekutive. Çfarë kanë bërë ata? Kanë ardhur janë betuar për deputetë, kanë votuar për prezencë, ndërsa në anën tjetër vazhdojnë me qenë edhe kryeministër, edhe ministra. Tërësisht e jashtëligjshme. E treta, rregullorja e punës së Kuvendit parasheh që seanca konstituive nëse ndërpritet, vazhdimi duhet të thirret brenda 48 orëve. Ata nuk po e thërrasin. Ne bëjmë aksione dhe kërkojmë nga deputeti Albin Kurti që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit të lirojë atë. Kemi me bë kallëzim penal për këtë punë”, tha ai, derisa ka folur edhe për çështjen e presidentit.
“Partia Demokratike e Kosovës është e qartë, ne jemi opozitë. Për presidentin duhet konsensus. Nuk duhet një subjekt politik me i pasë të gjitha pozitat. Kjo tendencë autoritare apo diktatoriale duhet ndalur. Albin Kurti e ka fitu pushtetin, nuk po i mjafton pushteti. Ai po e synon shtetin. Nuk kemi me i leju. Nuk e ka të fitum 100% të ekzekutivit. Jemi për t’u bërë opozitë e mirëfilltë dhe me ndalur këtë synim që dëmton strukturat demokratike të Republikës së Kosovës”, tha ai.




