Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka ngritur shqetësimin për vdekjet e punëtorëve në ndërmarrjet publike, duke e akuzuar Qeverinë për dështim institucional në garantimin e sigurisë në vendin e punës.
Në një konferencë për media, Tahiri përmendi katër raste të vdekjeve të punëtorëve gjatë këtij viti.
“Më 20 gusht, Arbenit Ahmeti humbi jetën duke transportuar kabllot 6 kV. Më 16 gusht, vetëm katër ditë më herët, Haxhi Gojnovci, teknik i xehtarisë, mbeti i vdekur pranë ekskavatorit. Më 15 korrik, Milazim Binaku ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e lëndimeve të marra më 8 korrik në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Më 27 shkurt, Migjen Sadiku ndërroi jetë në hapësirat e Termocentralit ‘Kosova B’”, tha Tahiri.
Ai tha se pas secilës prej këtyre vdekjeve qëndrojnë familje që përballen me humbjen e një prindi, bashkëshorti apo familjari.
“Janë punëtorë që shkuan në punë për të siguruar bukën e gojës për familjet e tyre dhe humbën jetën duke bërë punën e tyre”, u shpreh ai.
Tahiri kritikoi Qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, po i trajton rastet e vdekjeve në ndërmarrjet publike, duke theksuar se shteti nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhues dhe mbikëqyrës i këtyre ndërmarrjeve dhe të shmangë përgjegjësinë.
“Qeveria nuk mund të jetë njëkohësisht menaxhuese dhe mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike dhe, në fund, të sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi. Si është e mundur që kur flitet për rritje të prodhimit apo për progres, dalin dhe shprehin krenari, ndërsa në raste të tilla fshihen nëpër xhipa të zinj e prapa perdeve të pushtetit? Kur këto vdekje ndodhin në një ndërmarrje publike, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit, ato bëhen dëshmi e një dështimi institucional. Nëse shteti nuk arrin të mbrojë jetën e punëtorëve të vet, si mund të pretendojë se mbron jetën dhe të drejtat e punëtorëve në sektorin privat?”, tha Tahiri.
Ai shtoi se përgjegjësia institucionale duhet të kërkohet edhe për kushtet e sigurisë në të cilat punojnë punëtorët./teve1.info/







