Kosova pritet të mbajë mot kryesisht me diell, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 34 gradë Celsius.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11 dhe 15 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 29 deri në 34 gradë Celsius. Era do të fryjë nga jugperëndimi dhe juglindja, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të mira dhe të favorshme, sidomos gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes. Megjithatë, temperaturat e larta gjatë mesditës mund të shkaktojnë ngarkesë të shtuar termike te personat e ndjeshëm.
Indeksi UV pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë, veçanërisht në intervalin nga ora 10:00 deri në 16:00. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë dhe të zgjatur në diell, si dhe të përdorin kapele, syze dielli dhe krem mbrojtës.
Po ashtu, rekomandohet konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve, sidomos gjatë ditëve me temperatura të larta.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato pritet të jenë të favorshme për zhvillimin dhe pjekjen e kulturave bujqësore. Megjithatë, në zonat ku mund të ketë reshje të shoqëruara me stuhi, erëra të forta dhe breshër, ekziston mundësia e dëmtimeve lokale të kulturave.







