Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka udhëtuar sot drejt Italisë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, Haxhiu do të marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, për krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse në këto Lojëra.
Kosova do të përfaqësohet në “Taranto 2026” në 17 sporte individuale dhe katër sporte ekipore, me gjithsej 163 sportistë.
“Ky është numri më i madh i sportistëve me të cilin Kosova është përfaqësuar deri më tani në Lojërat Mesdhetare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në fund të njoftimit theksohet se pjesëmarrja në këtë edicion ka rëndësi të veçantë për Kosovën, edhe për faktin se edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030./teve1.info/




