Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar lidhur me vendimet e marra nga Qeveria në detyrë më 12 gusht, duke i cilësuar ato si cenim serioz të rendit kushtetues dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës.
Sipas IKD-së, Qeveria në detyrë po vazhdon të ushtrojë kompetenca ekzekutive, ndonëse disa prej anëtarëve të saj, të zgjedhur tashmë deputetë, nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet qeveritare.
IKD i referohet nenit 72 të Kushtetutës, i cili përcakton papajtueshmërinë ndërmjet mandatit të deputetit dhe ushtrimit të funksionit ekzekutiv. Instituti thekson gjithashtu se, sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, anëtarët e Qeverisë në detyrë që janë zgjedhur deputetë është dashur të japin dorëheqje nga postet qeveritare para certifikimit të rezultateve.
“Vazhdimi i ushtrimit të funksioneve ekzekutive është në kundërshtim me ligjin”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Instituti thekson se më 12 gusht Qeveria ka zhvilluar mbledhje elektronike dhe ka marrë një varg vendimesh me pasoja juridike, institucionale, pronësore dhe buxhetore. Në mesin e tyre, sipas IKD-së, janë vendime për qiradhënie të pronës publike deri në vitin 2033, procedura të shpronësimit dhe ndarje të mjeteve financiare.
IKD e konsideron veçanërisht problematike vendimmarrjen për themelimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese.
Sipas Institutit, neni 31 i Ligjit për Qeverinë ia ndalon Qeverisë në dorëheqje inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike kur kompetenca për emërim i takon asaj.
IKD shpreh shqetësim se këto procedura mund të ndikojnë në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve si Thesari i Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, Agjencia për Siguri Kibernetike, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Instituti i referohet edhe një vendimi të Gjykatës Supreme të 15 korrikut 2025, përmes të cilit ishte shfuqizuar një udhëzim administrativ i Ministrisë së Financave. IKD thotë se një nga arsyet e vendimit lidhej me faktin se akti ishte nxjerrë nga një person që, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ushtronte njëkohësisht mandatin e deputetit dhe funksionin e ministrit në detyrë.
“Pas certifikimit të rezultateve, deputeti nuk mund të vazhdojë ushtrimin e kompetencave ekzekutive”, thekson IKD, duke vlerësuar se ky standard duhet të zbatohet edhe në rrethanat aktuale.
Në fund, IKD kërkon nga Qeveria që të ndërpresë menjëherë çdo vendimmarrje që tejkalon aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara, si dhe të pezullojë zbatimin e vendimeve të 12 gushtit për t’iu nënshtruar një shqyrtimi të plotë juridik.
Po ashtu, kërkohet shfuqizimi i vendimeve për komisionet e pranimit dhe i çdo procedure të re për emërime.
“Kushtetuta nuk është pengesë që pushteti mund ta anashkalojë, ajo është kufiri përtej të cilit ushtrimi i pushtetit humb legjitimitetin”, përfundon reagimi i IKD-së./teve1.info/







