Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se deklaratën e presidentit të Ukrainës të dhënë ne Beograd për mosnjohjen e Kosovës e “marrim me keqardhje”.
Konjufca duke kujtuar mbështetjen që i ka dhënë Kosova, Ukrainës nga dita e parë e agresionit të Rusisë, ka kujtuar poashtu se Kosova i ka vendosur edhe sanksione Rusisë, ndërsa Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Ai poashtu ka thënë se përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedentë për agresionin ndaj Rusisë nuk qëndrojnë.
Konjufca ka kujtuar se shpëlaja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 është njohur nga shumica e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s.
“Përpjekjet e Rusisë për ta përdorur Kosovën si precedent apo si justifikim për pushtimin, okupimin apo përpjekjen për aneksimin e territoreve ukrainase janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta. Nuk ekziston asnjë paralele e tillë. Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë me respekt, por në mënyrë të vendosur, çdo përpjekje për ta trajtuar Republikën e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë. E marrim me keqardhje në dijeni deklaratën e Presidentit Zelenskyy në Beograd, ku ai rikonfirmoi mosnjohjen nga Ukraina të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në X.
Ai ka thënë se Kosova e mirëpret njohjen nga Ukraina, ku sipas tij një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë dhe demokracisë.
“Do ta mirëprisnim njohjen e Republikës së Kosovës nga Ukraina. Një vendim i tillë do t’i forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që vetë Ukraina po i mbron sot”, ka shkruar Konjufca.
Presidenti i Ukrianinës gjatë vizitës në Beograd tha se qëndrimi i këtij shteti ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.
Kosova, i është bashkuar vendeve aleate të BE-së dhe ShBA-së në mbështetje të Ukrainës, kundër agresionit të Rusisë.
Ndërsa, në Prishtinë pas deklaratës së Zelenskyyt është hequr flamuri i vendosur në mbështetetje të Ukrainës.
Ndaj deklaratës së Zelenskyyt ka reaguar edhe Shqipëria.








