Më 1 shtator, mijëra nxënës iu kthehen bankave shkollore.
Mes tyre, edhe fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Përfshirja e tyre në arsim është rritur ndër vite.
Në lagjen 28 në Fushë Kosovë thonë se fëmijët tashmë janë pjesë e shkollës.
“Po unë i kam 4 fëmijë, fëmijët shkojnë me rregull në shkollë. Po kështu fëmija ngucen kapak, por janë të mirëkuptueshëm se flasim me prindërit, me drejtorin”, thotw Fitim Kadriu-qytetar.
Por të rralla nuk janë rastet kur ata ngacmohen nga bashkëmoshatarët.
E edhe regjistrimi, është bërë jo në kohën e paraparë.
“8 vjet i ka pas kur e kom regjistrua në shkollë”, shprehet njw prind.
Në shkollën “Daut Bogujevci” në këtë komunë, aktualisht janë të regjistruar rreth 40 nxënës nga këto komunitete.
Edhe 20 të tjerë pritet të regjistrohen në afatin e dytë.
“Pritshmëritë janë edhe 20 nxënës me ardh, edhe ato ndodhin është afati i dytë i regjistrimit, fillojmë prej 17 gushtit…Kemi raste kur nxënësit janë me vonesë por nuk i ndëshkojmë, edhe ata i pranojmë”, thotw Betim Ahmeti – sekretar i shkollës “Daut Bogujevci”.
Që regjistrimi të bëhet me kohë, puna zhvillohet edhe jashtë shkollave.
Prej vitit 2023, organizata “Nevo Koncepti” viziton familjet dhe i informon për regjistrimin e fëmijëve.
“Çdo vit, që nga fillimi i këtij aktiviteti që nga viti 2023 e deri në vitin 2026 ku edhe jemi në përfundim të këtij projekti, ne çdo vit kemi bërë fushatë vetëdijësuese te familjet e komuniteteve romë, ashkali e egjiptian në komunën e Fushë- Kosovës, ku është identifikuar që kanë fëmijë për regjistrim në edukimin parafillor apo klasë të parë”, thotw Muhamet Elshani, koordinator i projektit.
Se gjendja është përmirësuar e thonë edhe njohësit e arsimit.
Por, sipas tyre, ende duhet punë me prindërit, sidomos në zonat ku këto komunitete janë më të përqëndruara.
“Te komunitetet romë, ashkali e egjiptian ka avancim të madh sa i përket pjesëmarrjes në arsim. Më përpara ka qenë problem shumë i madh, tash numri i rasteve është shumë më i vogël, por akoma ka nevojë për përgatitje, biseda me prindër dhe t’i paraprihet problemeve eventuale që të mos i sjellin fëmijët në shkollë”, shprehet Dukagjin Popovci.
Shpeshherë, nga aktivistët dhe ekspertët është thënë se mungesa e qasjes në edukimin e hershëm, fëmijëve nga komunitetet ua vështirëson fillimin e shkollimit dhe mund të ndikojë në gjithë rrugëtimin e tyre arsimor.






