Sokol Hoxha, i dënuar për 3 vrasje të kryera gjatë vitit 1997, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë.
Sipas mediave shqiptare, ai mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ku iu dorëzua autoriteteve shqiptare.
Hoxha është dënuar nga gjykatat shqiptare me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, ngjarje e ndodhur në vitin 1997.
Përveç dënimit në Shqipëri, ai kërkohet edhe nga autoritetet belge për të vuajtur dënimin lidhur me vrasjen e Brunilda Dervishit në Bruksel.
Sipas të dhënave hetimore, pas krimit të dyfishtë në Shqipëri, Hoxha u arratis fillimisht në Greqi dhe më pas u vendos në Belgjikë.
Hetimet e zhvilluara ndër vite nga autoritetet europiane kanë ngritur dyshime se ai ishte i përfshirë në rrjete të shfrytëzimit të prostitucionit.
Autoritetet belge dyshojnë se Brunilda Dervishi ishte detyruar të prostituohej nga Hoxha, i cili kishte krijuar edhe një lidhje formale me të.
Sipas hetimeve, konflikti mes tyre lindi pasi viktima kundërshtoi të vazhdonte të shfrytëzohej, çka dyshohet se çoi në vrasjen e saj në një lokal në kryeqytetin belg.
Pas ngjarjes në Belgjikë, Hoxha u largua fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku arriti t’i shmangej drejtësisë për shumë vite.
Me ekstradimin e tij në Shqipëri, autoritetet shqiptare do të zbatojnë dënimin e dhënë nga gjykatat vendase, ndërsa pritet të ndiqen edhe procedurat ligjore në lidhje me kërkesën e autoriteteve belge.











