Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer i cili është kapur duke drejtuar automjetin me shpejtësi të tejkaluar në rrugën transitore Davidovc–Belincë, në Komunën e Shtimes.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 09:42, gjatë kontrolleve të shtuara në trafik për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Shoferi A.M., 49 vjeç, duke drejtuar një veturë të markës BMW M5 me targa të huaja, është regjistruar duke qarkulluar me shpejtësi prej 178 km/h, në një zonë ku kufizimi i lejuar ishte 60 km/h.
Për këtë kundërvajtje, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj në territorin e Kosovës.
“Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aktivitete të intensifikuara në trafik, me qëllim mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion”, thuhet në njoftim./teve1.info/







