Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar panairin e grave ndërmarrëse “Gratë në Biznes”, i cili po mbahet në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Gjatë vizitës, Kurti është njohur nga afër me punën e grave ndërmarrëse, të prezantuar përmes produkteve tradicionale artizanale, ushqimore dhe krijimeve kreative.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ai i ka falënderuar ato për përkushtimin dhe u ka uruar suksese në angazhimin e tyre për fuqizimin e ekonomisë së vendit.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë ka theksuar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për gratë ndërmarrëse, duke përmendur programet që synojnë përkrahjen e bizneseve prodhuese vendore dhe zhvillimin e ndërmarrësisë.
Panairi “Gratë në Biznes” është organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA)./teve1.info/







