Konsulenti politik Xhevdet Pozhari ka shprehur skepticizëm pas takimit mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke thënë se ende mbetet kurreshtar për datën e zgjedhjeve.
Pozhari ka deklaruar se prononcimi i Kurtit pas takimit për media i ka shtuar dilemat e tij, ndërsa ka thënë se pret një zhvillim të papritur nga përfaqësuesit politikë.
“Mua vetëm po më shtohet ajo dozë e skepticizmit dhe jam kurreshtar ta di se cila do të jetë data e zgjedhjeve, por dua të më befasojnë përfaqësuesit tanë politikë me diçka që mund të dalë në minutat e fundit”, ka thënë Pozhari.
Ai ka komentuar edhe mundësinë e zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se një marrëveshje eventuale mes Vetëvendosjes dhe LDK-së mund të mos jetë e mjaftueshme pa mbështetjen e një partie të tretë.
Sipas Pozharit, në rrethanat aktuale, ku LDK-ja ndodhet me një numër të kufizuar votash, hyrja në procesin e zgjedhjes së presidentit pa një garanci shtesë për votat mund të paraqesë rrezik.
“Kurti gjatë prononcimit të tij, para se të fliste për PDK-në, foli për Ardian Gjinin dhe për atë që e diskutuam në studio. Nëse nuk do të jetë garantuese edhe një parti e tretë për votat e presidentit, në këto rrethana në të cilat ndodhet LDK-ja, me 80 vota kaq precize, është rrezik të hyhet në procesin e zgjedhjes së presidentit.Edhe nëse do të kishte marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së, pra edhe nëse do të vinte deri te një marrëveshje potenciale midis LDK-së dhe VV-së për presidentin, pa votat e Aleancës vështirë se mund të votohet një figurë e tillë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk kanë arritur marrëveshje politike gjatë takimit të tyre më 4 gusht.
Megjithatë, si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku paralajmëruan se bisedimet do të vazhdojnë me qëllim që të arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
“Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe funksionim të Republikës”, tha Kurti.
Ai shtoi se koha për arritjen e një marrëveshjeje është shkurtuar dhe pa të, vendi rrezikon sërish të shkojë në zgjedhje.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e cilësoi si takim të mirë dhe tha se LDK-ja është e gatshme me “çdo çmim dhe çdo kusht” t’i shmangë zgjedhjet./teve1.info/




