Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka njoftuar se të hënën në mbrëmje ka pranuar 15 persona të lënduar si pasojë e tri aksidenteve të ndryshme të trafikut, të ndodhura në Mrasor, Rahovec dhe Gjakovë.
Sipas njoftimit të spitalit, të lënduarit janë pranuar në Repartin e Emergjencës rreth orës 19:10, pothuajse në të njëjtën kohë, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
“Rreth orës 19:10, në Repartin e Emergjencës të Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës janë pranuar 15 persona të lënduar, pothuajse në të njëjtën kohë, si pasojë e tri aksidenteve të ndryshme të trafikut, të ndodhura në Mrasor, Rahovec dhe Gjakovë”, thuhet në njoftim.
Pas ekzaminimit dhe trajtimit fillestar, tre pacientë janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë. Pesë pacientë janë pranuar në Repartin e Ortopedisë, një në Repartin e Kirurgjisë, një paciente shtatzënë në Repartin e Gjinekologjisë dhe një fëmijë në Repartin e Pediatrisë. Ndërkaq, katër pacientë janë liruar për trajtim në shtëpi.
“Të gjithë pacientët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë trajtuar në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë.








