Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se gërmimet në fshatin Kalludër në Zubin Potok ku dyshohen për varrezë masive janë të rëndësishme për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjen e të zhdukurve me forcë gjatë luftës.
Haxhi duke përshëndetur punën e institucioneve ka thënë se jep përkrahjen e saj të plotë .
“Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi. Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Haxhiu.









