Analisti politik Artan Nimani, në emisionin “Ditari” në Tëvë1, ka komentuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës , i cili do të mbahet më 30 korrik, ku në rend dite është votëbesimi për kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku.
Duke folur për mundësinë që Abdixhiku të rizgjidhet në krye të LDK-së, Nimani tha se kreu i partisë mund ta shfrytëzojë procesin e votëbesimit si një kartë politike për të siguruar mbështetjen e delegatëve.
Sipas tij, Abdixhiku mund t’u përcjellë delegatëve mesazhin se mbështetja për të do të ndikonte edhe në mundësinë e LDK-së për t’u bërë pjesë e qeverisë.
“Abdixhiku ta ketë edhe një adut shtesë në dorë, një qëllim, mund t’i themi kështu, një lloj shantazhimi politik të delegatëve, që nëse unë i mbijetoj votëbesimit, bashkë me mua do të jeni në qeveri. Pra, kjo është logjika se pse unë mendoj që është një ngutje për organizimin e kuvendit, por pjesa tjetër është se për shkak të kësaj do ta sanksionojë Abdixhikun për shkak të kësaj ngutjeje”, ka deklaruar Nimani.







