6 gushti u caktua datë për mbajtjen e seancës për konstituimin e Kuvendit.
Pas nënshkroi vendimin, ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, doli në një konferencë për media.
Aty, Haxhiu tregoi pse nuk e kishte thirrur deri tani seancën.
Derisa partive politike u bëri thirrje t’i vazhdojnë bisedimet.
“Në ditët në vijim duhet të intensifikohet komunikimi dhe pjekuria politike, pasi qytetarët nga ne presin zgjidhje dhe institucione funksionale…kam vendosur që menjëherë pas certifikimit të mos e thërras me nguti seancën konstituive, por të shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe ndërtimin e një konsensusi”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të pezulluar bisedimet, nuk e kanë pritur mirë.
“PDK-ja, përmes zotërit Hamza, ka dhënë qëndrimet sa i përket vijimësisë së këtij procesi, ndërkaq LDK-ja i ka pezulluar diskutimet për shkak të problemeve të brendshme. Natyrisht nuk merrem me problemet e brendshme të partive politike, janë të tyre por duhet të kemi parasysh se ne kemi afate kushtetuese dhe duhet të veprojmë. Prandaj nuk e kemi mirëpritur vendimin për pezullim të këtyre takimeve, pasi megjithatë nga takimi i parë që ka pasur duket se ka qenë më ndryshe sesa takimet e proceseve të kaluara në përpjekjet e asaj kohe për të pasur një marrëveshje për presidentin”, potencoi Haxhiu.
E deklarimet se Vetëvendosje po shqyrton mundësinë për zgjedhje të reja, Haxhiu i quajti spekulime.
“Spekulimeve që po planifikojnë një raund të ri zgjedhor unë do t’i përgjigjesha me ftesën e tyre për takime serioze dhe për diskutime se si të tejkalojmë situatën aktuale. Është e vërtetë që LVV-ja i ka numrat për Kuvend dhe Qeveri. Por mos i harroni akuzat që na bënin partitë politike në të kaluarën se pse u ngutët me konstituim dhe qeveri. Kjo ka qenë arsyeja që kam konsideruar se nëse ngutemi thonë pse u ngute, nëse nuk ngutem pse nuk u ngute. Asnjëherë nuk u bie taman”, vlerësoi Haxhiu.
Seanca konstituive e gushtit do të mbahet në orën 10:00, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për mbajtjen e seancës, që është 7 gushti.






