Ministria e Infrastrukturës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditës së nesërme, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për stuhi të fuqishme që pritet të përfshijnë vendin.
Sipas ministrisë, kushtet e pafavorshme atmosferike, të shoqëruara me reshje intensive shiu, bubullima, breshër dhe erëra të forta, mund të ndikojnë në sigurinë e trafikut, duke shkaktuar ulje të dukshmërisë, rrugë të rrëshqitshme dhe pengesa të ndryshme në qarkullim.
“Gjatë periudhave të stuhisë shmangni qarkullimin, përveç rasteve kur është e domosdoshme. Përshtateni shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe mbani distancë të sigurt. Mos ndaloni dhe mos parkoni nën pemë, pranë shtyllave elektrike ose objekteve që mund të rrëzohen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që, kur është e mundur, automjetet t’i vendosin në garazhe ose në vende të mbuluara dhe të sigurta, si dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
“Vendosni automjetet në garazhe ose vende të mbuluara dhe të sigurta, kur kjo është e mundur. Respektoni sinjalizimin rrugor dhe udhëzimet e institucioneve kompetente”, theksohet më tej në njoftim.
Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur gjithashtu se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve do të jenë në gjendje gatishmërie, me qëllim që të reagojnë shpejt ndaj çdo situate që mund të krijohet në infrastrukturën rrugore si pasojë e motit të keq.







