Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas një pune hetimore, ka siguruar informacione dhe prova lidhur me një rast të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe tentimit për tjetërsim të pronës në Prishtinë.
Sipas raportit policor, dy persona meshkuj, shtetas të Serbisë, dhe një mashkull kosovar dyshohen se përmes veprimeve të kundërligjshme kanë tentuar të tjetërsojnë dhe shesin një pronë/tokë me sipërfaqe rreth 2 hektarë.
Të dyshuarit dyshohet se kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaportë dhe letërnjoftim të Serbisë, si dhe dokumente të tjera si certifikata të lindjes, martesës e dokumente tjera, të cilat më pas i kanë përdorur si të vërteta.
Po ashtu, sipas policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë prezantuar një person të rremë si person real, me qëllim që të bindin dy blerës kosovarë se prona po shitej me dokumentacion të rregullt.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.
“Prishtinë 17.07.2026 – Koha NN. Pas një pune hetimore është arrit të sigurohen informata/prova, të cilat dëshmojnë se dy te dyshuar meshkuj shtetas të Serbisë dhe një mashkull kosovar, përmes veprimeve të kundërligjshme (falsifikimin e dokumenteve/pasaportën e Serbisë, letërnjoftimin dhe dokumente tjera si certifikatë të lindjes, martesës etj.) dhe duke i përdorur si të vërtet dokumentet e rrejshme (gjithashtu duke prezantuar një person të rrejshëm si person i vërtetë), kanë tentuar që ta tjetërsojnë/shesin pronën/tokën në sipërfaqe prej rreth 2 hektar (2 ha) duke tentuar qe t’i mashtrojnë dy blerësit meshkuj kosovarë se kinse janë duke i shitur pronën me dokumentacion të rregullt. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”, thuhet në raport./teve1.info/






