Policia e Kosovës i ka hedhur poshtë dhe si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS).
Policia e Kosovës e ka bërë një reagim publik.
“Me qëllim të informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, hedh poshtë si të pabazuara pretendimet e publikuara në komunikatën e Eparkisë Rashkë-Prizren, sipas të cilave Policia e Kosovës zhvillon një politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit. Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb, të cilët ushtrojnë detyrën mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Policinë, Kodit të Etikës Policore dhe standardeve evropiane të zbatimit të ligjit. Vetë përbërja shumetnike e Policisë së Kosovës, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se Policia e Kosovës vepron mbi baza etnike, fetare apo politike. Çdo veprim policor ndërmerret ekskluzivisht mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale. Respektimi dhe garantimi i lirisë së besimit është një ndër detyrimet themelore të Policisë së Kosovës”, shkruhet në reagim.
Tutje në reagim shkruhet se edhe ceremonia e 28 qershorit 2026 në Gazimestan është zhvilluar mbi bazën e një plani të posaçëm operacional të hartuar nga Policia e Kosovës.
“Ceremonia është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga Policia e Kosovës. Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik. Vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore bazuar në dëshmitë për secilin rast veç e veç. Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare përbën një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të Policisë së Kosovës.Pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-i, Policia e Kosovës mori përgjegjësinë për sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke dëshmuar kapacitet profesional dhe institucional në ushtrimin e këtij mandati. Për realizimin e këtij misioni, nga Policia e Kosovës është themeluar Drejtoria për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK). DSOTK-ja përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, e ku mbi 16% të tyre i përkasin komunitetit serb, kurse në krye të DSOTK-së është majori nga komuniteti serb. Aktualisht janë 24 objekte të TKF-së serbe që sigurohen 24/7 nga pjesëtarë të PK-së. Varrezat e të gjitha minoriteteve mbikëqyren në baza ditore nga ‘Policia e Komunitetit’ dhe për secilën prej tyre ekziston dosje e veçantë që monitorohet nga policët sektorialë-policët e komunitetit”, thuhet ndër të tjera në reagim.






