Ushtarët e Ekipit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC), të angazhuar në Komandën Rajonale-Perëndim (RC-W) të misionit të KFOR-it, kanë dorëzuar një Dhomë Familjare të pajisur rishtazi në Stacionin e Policisë së Kosovës në Pejë.
Sipas njoftimit të KFOR-it, dhoma është projektuar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe synon të ofrojë një hapësirë të sigurt, private dhe të përshtatshme ku viktimat e dhunës në familje mund të bisedojnë me zyrtarët policorë në një ambient që garanton besim dhe konfidencialitet.
KFOR ka theksuar se kjo iniciativë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të bashkëpunuar me institucionet vendore në funksion të krijimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Në njoftim rikujtohet se KFOR-i vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë.
Po ashtu, bëhet e ditur se KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë./teve1.info/







