TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

Gjyqësori në veri, pritje për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë

by teve1
2 orë ago
0
A A
Gjyqësori në veri, pritje për rikthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë

Në Qendrën për Energji Qytetare (CEC) në Mitrovicën e Veriut u mbajt të enjten konferenca “Gjyqësori në veri të Kosovës: Sfidat aktuale dhe perspektivat për zhvillimin institucional”, e organizuar nga Qendra për Avokim për Kulturë Demokratike (ACDC).

Në konferencë u diskutua për sfidat me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në veri si dhe për mundësinë e rikthimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb në institucionet e drejtësisë, çështje për të cilën pjesëmarrësit shprehën qëndrime të ndryshme.

Drejtori ekzekutiv i ACDC-së, Dushan Radakoviq, tha se procesi i rikthimit të pjesëtarëve të komunitetit serb në sistemin e drejtësisë tashmë ka nisur përmes negociatave, ndërsa shprehu pritjen që gjyqtarët dhe prokurorët të rikthehen në punë më 1 shtator.

“Ajo që mediat kanë thënë dhe që doli e vërtetë është se nuk ishin zgjedhje me 1.5% pjesëmarrje, por tani nuk kemi gjyqtarë dhe prokurorë në punë nga komuniteti serb. Besoj se procesi është shtyrë dhe se është shfrytëzuar momenti për kthimin e njerëzve në këtë periudhë, tani gjatë verës, kur ka sa më pak aktivitet politik e kështu me radhë. Të jem i sinqertë: sot me ne këtu duhej të ishte Këshilli Gjyqësor. Por kemi pasur një takim serioz, ku kemi biseduar se kthimi në njëfarë mënyre ka filluar përmes negociatave dhe që të mos bënim presion edhe më të madh, sepse më besoni që ata kanë një presion të jashtëzakonshëm. Kemi pasur një takim shumë të hapur ditëve të kaluara. Por është rënë dakord që kur të hapet dhe kur njerëzit të kthehen në gjykatë, të mos humbim kohë me çështje si mënyra e kthimit dhe procedurat, sepse sigurisht ka gjëra të sigurta dhe probleme që do të zgjidhen rrugës. Na është premtuar se kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe drejtori do të jenë këtu në konferencën e radhës, unë sinqerisht shpresoj në mes të shtatorit, për të shpjeguar disa gjëra: si, çfarë, ku dhe çfarë pritet. Ajo që mund të them unë personalisht, si Dushan Radakoviq është se unë pres që njerëzit të kthehen në gjykatë më 1 shtator. Ky është mendimi im. Dy informacione për ju: dje, veçanërisht anëtarët, kanë njoftuar Këshillin Gjyqësor se dëshirojnë të kthehen, pra të tërheqin dorëheqjet e tyre. Rreth 130 persona patën paraqitur dorëheqje më 6 nëntor 2022. Një numër më i vogël ka dërguar kërkesë zyrtare, kjo është e sigurt. Po ju jap një shembull: nga 24 gjyqtarë që kanë punuar, vetëm 16 mund të kthehen”, tha Radakoviq.

Radakoviq shtoi se mungesa e stafit të mjaftueshëm në gjykata dhe prokurori mund të përkeqësojë funksionimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa bëri të ditur se tre persona nga veriu kanë kaluar provimin e jurisprudencës.

Ndërsa, shefi i Seksionit për Drejtësi në UNMIK, Andrea Lako, tha se konferenca e mbajtur në Mitrovicë ka rëndësi të veçantë.

Sipas tij, kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës.

“Jam shumë i lumtur, sepse këtë herë jemi në Mitrovicë. Jemi në vendin ku është vetë zemra e këtij problemi. Shpresoj që të kemi së shpejti disa lajme të mira. Ka disa zëra dhe janë zëra të mirë, ju e dini se ka disa lajme të mira që gjyqtarët, prokurorët dhe stafi i gjykatës të kthehen, kështu që më pas të mund të kemi, në njëfarë mënyre, një kthim te normaliteti. Ky integrim nuk është i rëndësishëm vetëm për arsye politike. Ai është i rëndësishëm, sepse komuniteti ka nevojë që gjyqtarët dhe prokurorët e tij të jenë afër tyre, në mënyrë që ata të kenë qasje në drejtësi pa asnjë pengesë”, tha Lako.

Avokati Shyqyri Syla tha se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë në Kosovë ka kaluar nëpër disa faza dhe se rikthimi i tyre do të ishte i rëndësishëm jo vetëm për institucionet, por edhe për komunitetin serb që jeton në veri të vendit.

“Funksionimi i sistemit gjyqësor në Kosovën veriore ka qenë i vështirë. Sidomos pas luftës kemi pasur disa faza ku gjyqtarët serbë dhe prokurorët serbë janë integruar. Pastaj ka ardhur shpallja e pavarësisë, ku i kanë lëshuar të gjitha, jemi përzënë edhe nga ndërtesa dhe kjo ka qenë një sfidë e madhe për drejtësinë. Kishte një pengesë të madhe për 10 vite për funksionimin e shpejtë dhe të drejtë të organeve gjyqësore. Në Vushtrri nuk kishte kushte për punë, mirëpo me kalimin e kohës u arrit marrëveshja që të implementohet marrëveshja e vitit 2013/2016 për integrimin e strukturave gjyqësore në veri. Nuk ishte një integrim i lehtë. Personalisht, unë kam kontaktuar dhe kam negociuar kthimin e tyre pa pjesëmarrjen e faktorit ndërkombëtar, me kryeprokurorin e asaj kohe, nëse nuk gaboj, në prokurorinë paralele dhe kam organizuar disa takime edhe me Këshillin Prokurorial, edhe me ish-kryeprokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi. Integrimi i tyre ishte pak më i lehtë, nuk kishte ndonjë kushtëzim. Erdhi një integrim që ishte i mirëseardhur jo vetëm për politikën, por edhe për vetë komunitetin, siç tha Lako, në fjalën e tij hyrëse. Integrimi nuk bëhet për politikë, por bëhet për shkak të komuniteteve, për shkak të nevojës që komunitetet të kenë një qasje më të mirë në drejtësi“, tha Syla.0

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, tha se integrimi i komuniteteve në institucionet e drejtësisë është obligim kushtetues dhe se rikthimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb do të ishte vazhdim i procesit të nisur me integrimin e vitit 2017.

“E para, nëse shkojmë prej parimeve më të përgjithshme, integrimi është obligim kushtetues. Përfaqësimi i komuniteteve në institucione në përgjithësi e në rastin konkret në institucionet e drejtësisë është obligim kushtetues dhe në fund të ditës ajo që po tentojmë të bëjmë është zbatimi i Kushtetutës dhe asgjë më shumë. Komunitetet përfaqësohen në Kuvend, në komuna dhe duhet që të përfaqësohen edhe në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, integrimi i gjyqësorit që kishte ndodhur në vitin 2017 ishte një arritje e madhe, për shkak se u funksionalizuan gjykatat dhe të gjitha ato punë dhe problemet që i përmendi edhe avokati z. Syla, që kishin ndodhur me vite, u evidentuan dhe disi situata filloi të kthehej në binarët e saj. Qasja në drejtësi filloi të marrë një kahe tjetër, për shkak se gjyqësori tashmë u pa se u takon të gjithëve dhe nuk ka ndarje të komuniteteve. Përkundër dilemave të mëdha që kishte në fillim, ky proces shkoi mirë për disa vite. Fatkeqësisht, ishte një rast i vetëm që u përdor si arsyetim që të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës të japin dorëheqje nga sistemi i drejtësisë. Kjo paraqiti një hap drejt asaj që të kthehemi mbrapa dhe në raport me integrimin e sistemit të drejtësisë, u përdor një rast i vetëm për të çuar në dorëheqje kolektive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës”, tha Shala.

Shala tha se mospranimi i dorëheqjeve nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka lënë të hapur mundësinë për rikthimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb në sistemin e drejtësisë, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Debati për sistemin e drejtësisë në veri të Kosovës nuk u ndal vetëm te çështja e rikthimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb. Gjatë konferencës u diskutuan edhe sfidat me të cilat përballen avokatët dhe palët në raport me institucionet e drejtësisë.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Gjashtë të arrestuar për “fajde” në Prizren dhe Suharekë

Arrestohen tre persona në Mitrovicë, synuan tjetërsimin e 21 pronave të paluajtshme

Abdixhiku: Të fokusuar në raundin e dytë, protagonizmat do të trajtohen qartë e drejtë

Fati politik i Abdixhikut vendoset para 7 gushtit

7 gushti afati i fundit për konstituimin e Kuvendit, LDK pezullon bisedimet, LVV e gatshme për takime

7 gushti afati i fundit për konstituimin e Kuvendit, LDK pezullon bisedimet, LVV e gatshme për takime

Mosmarrëveshje mes familjarësh – detaje nga plagosja e mbrëmshme në Fushë – Kosovë

Mosmarrëveshje mes familjarësh – detaje nga plagosja e mbrëmshme në Fushë – Kosovë

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën