Mbretëria e Bashkuar ka dënuar ashpër deklaratat e ministres serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviq, të cilat përfshijnë referenca për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), të shpërndarë nga Ambasada Britanike në Prishtinë, thuhet se këto komente janë “krejtësisht të neveritshme” dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.
Sipas deklaratës, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike, deklarata të tilla rihapin ndasitë e së kaluarës dhe nxisin tensione.
“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme. Në një kohë kur vendet në Ballkanin Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e vjetra dhe të nxisin tensione”, thuhet në deklarimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), të publikuar në faqen e Ambasadës britanike në Facebook.
Britania thekson se udhëheqësit politikë me përgjegjësi duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa asnjë ekuivok.
Në reagim gjithashtu përmendet se Mbretëria e Bashkuar ka marrë parasysh distancimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga deklaratat e ministres Paunoviq.
“Udhëheqësit politikë me përgjegjësi duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë qartë dhe pa asnjë mëdyshje. Ne e marrim parasysh distancimin e presidentit Vuçiq nga këto komente”, thuhet tutje në deklaratë.
Ndërkohë, ministrja serbe, Snezana Paunoviq, ka thënë se deklarata e saj për “spastrimin etnik të Kosovës” i është nxjerrë nga konteksti.
Ajo i ka kërkuar falje presidentit serb, Aleksander Vuçiq dhe Qeverisë serbe, duke thënë se “s’janë as fajtorë as përgjegjës”, shkruan Euronews serbia.
Paunoviq e ftuar në Informer TV, e konsideroi keqdashëse që “vetëm shtatë sekonda nga i gjithë emisioni” u nxorën dhe se kjo u shndërrua në një çështje politike.
“Kjo është historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politikë e presidentit apo e qeverisë”, ka thënë ajo.
Kosova e ka shpallur persona non grata Snezhana Paunoviqin, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës.
Vendimi u mor pas deklaratës së Paunoviqit “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”.
Për këtë deklaratë të dhënë gjatë një interviste reaguan edhe qarqet ndërkombëtare.
Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së theksoi se “në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik”.
“Ato deklarata janë gjithashtu në kundërshtim me zotimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj, ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, deklaroi Hipper.







